BE jep 178 miliardë euro ndihmë Ukrainës

Bashkimi Evropian i ka ndarë Ukrainës 178 miliardë euro që nga fillimi i luftës

Bashkimi Evropian i ka dhënë Ukrainës rreth 178 miliardë euro që nga fillimi i luftës. Këtë informacion e ka bërë të ditur Valdis Dombrovskis, Komisioneri për Çështjet Ekonomike i Parlamentit Europian, gjatë një fjalimi mbajtur në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg.

“Në total, Bashkimi Evropian ka siguruar tashmë 178 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, duke qenë më bujare se çdo vend tjetër në botë. Nga kjo shumë, 62.3 miliardë euro janë dedikuar për mbështetje ushtarake për Kievin përmes Fondit Evropian të Paqes”, theksoi Dombrovskis.

Ai kujtoi se në vitin 2024, me iniciativën e Komisionit Evropian, vendet e G7-ës i dhanë Kievit një linjë krediti prej 45 miliardë euro, e cila synon të shlyhet duke përdorur të ardhurat nga pasuritë ruse të ngrira. Mbi 22 miliardë euro nga këto fonde janë shpenzuar tashmë.

Sipas Dombrovskis, Bashkimi Evropian do të furnizojë Ukrainën me rreth 1.6 milionë predha artilerie të kalibrit të madh në vitin 2025 dhe do ta rrisë prodhimin nga 300,000 predha në vitin 2022 në 2 milionë predha në vitin 2025.

Në fund, ai theksoi se Ukraina ka nevojë për fonde shtesë dhe bëri thirrje për përshpejtimin e përgatitjeve për shpronësimin e pasurive ruse të ngrira sipas skemës së kredisë së kompensimit.

Scroll to Top