PS dhe PD drejt paktit për reformën zgjedhore dhe territoriale, pa përfshirë partitë e reja
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po synojnë të arrijnë një marrëveshje për krijimin e dy komisioneve të posaçme parlamentare, të cilat do të merren me reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Procesi duket se do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive të tjera parlamentare.
Partia Socialiste në pushtet ka njoftuar se ka pranuar amendamentet e Partisë Demokratike lidhur me mënyrën e përbërjes së dy komisioneve të posaçme, që pritet të ngrihen me vendim të Kuvendit në fund të tetorit.
Amendamentet e dorëzuara nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, një javë më parë, kërkojnë që anëtarësia në të dy komisionet të jetë e barabartë mes opozitës dhe mazhorancës, duke bërë kështu që vendimmarrja në këto komisione të jetë e bazuar në konsensus.
Më parë, Partia Socialiste kishte propozuar një përbërje prej 17 anëtarësh për Komisionin e Reformës Territoriale, ku 9 anëtarë do të ishin nga PS, 6 nga PD, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga Partia e Lirisë. Për Komisionin e Reformës Zgjedhore, PS kishte propozuar 16 anëtarë, 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare.
Amendamentet e propozuara nga Bardhi parashikojnë një formulë të njëjtë barazie për të dy komisionet: 16 anëtarë gjithsej, ku 8 do t’i përkasin PS-së, 6 PD-së dhe nga 1 përfaqësues nga dy grupet aleate në parlament, “Aleanca për Ndryshim” dhe Partia e Lirisë. Kjo formulë përjashton partitë e tjera që nuk kanë grupe parlamentare në Kuvend, siç janë Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet dhe Partia SocialDemokrate e Tom Doshit.
I pyetur nga BIRN, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca do të miratojë propozimet e Partisë Demokratike për ngritjen e këtyre komisioneve. Ai shtoi: “Personalisht mendoj që duhet të jenë të gjitha partitë parlamentare. Shpresoj që deri në seancë, PD të pranojë formulën gjithëpërfshirëse.”
Objektivat dhe afati i komisioneve të reja
Projektvendimet për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, të publikuara në faqen e Kuvendit, përcaktojnë objektivat e punës së tyre dhe një afat pune prej 9 muajsh.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale ka si synim të rivlerësojë reformën territoriale të vitit 2014, e cila çoi në shkrirjen e komunave dhe krijimin e 61 bashkive të mëdha dhe 12 qarqeve. Një komision i mëparshëm parlamentar për reformë të re territoriale, drejtuar nga opozita në vitin 2022, nuk arriti të prodhonte ndryshime, pasi u kundërshtua nga mazhoranca e cila mbështeti reformën në fuqi.
Komisioni i ri parashikon shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore, eksplorimin e opsioneve të reja për ridizenjimin territorial, forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore, si dhe analizën e sistemit të financave vendore.
Amendamentet e Partisë Demokratike kërkojnë gjithashtu përfshirjen e ekspertizës nga institucione ndërkombëtare, duke përfshirë Kongresin e Autoritetëve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, në komisionin për reformën territoriale.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të vijojë të ketë si detyra kryesore ndryshimet në Kodin Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore dhe parlamentare. Një komision i mëparshëm i ngritur për këtë qëllim dështoi të realizonte reformën. Ndryshime të fundit në Kodin Zgjedhor, si vota e diasporës dhe mbyllja e listave të kandidatëve, u arritën pas një marrëveshjeje jo transparente mes dy partive kryesore, PS dhe PD.