Vrasje në Manzë: Zbardhet dinamika, 4 të arrestuar

Vrasja në Manzë/ Zbardhet dinamika, arrestohen 4 persona për moskallëzim krimi

Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së dyfishtë, e cila ndodhi një ditë më parë (22 tetor) në Manzë, ku viktimë mbetën Aranit Kurti dhe Flori Paluçi.

Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar katër persona për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Në pranga janë vënë:

  • Ergi Kadiu, 25-vjeç
  • Erald Cani, 21-vjeç
  • Taulant Beqja, 37-vjeç
  • Emirjan Beqja, 34-vjeç

Të gjithë këta janë akuzuar për moskallëzim të krimit.

Ndërkohë, në kërkim, përveç autorit të vrasjes së Paluçit, Daniel Pepës, është shpallur edhe një 30-vjeçar. Ky i fundit akuzohet për armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi, si edhe përkrahje të autorit të krimit.

Sipas hetimit të deritanishëm, rezulton se Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta është konfliktuar verbalisht me kamerierin dhe me Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal nga disa persona, mes tyre edhe i arrestuari Erald Cani).

Pas konfliktit verbal, Pepa është larguar nga lokali me automjet, por është kthyer menjëherë, i shoqëruar nga i arrestuari Ergi Kadiu dhe Aranit Kurti.

Gjatë tentativës së tre personave për të hyrë në lokal, ka dalë Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në tokë.

Në këtë moment, Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Flori Paluçit, duke e plagosur. Paluçi ka reaguar duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të Daniel Pepës dhe Aranit Kurtit.

Policia dyshon se Aranit Kurti është goditur me grusht në fytyrë nga Paluçi.

Gjithashtu, policia bëri me dije se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja së bashku me Daniel Pepën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top