Presidenti i Ekuadorit: Tentuan të më helmonin me reçel dhe çokollata!
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka bërë të ditur se ka qenë objektiv i një tentative për ta helmuar përmes çokollatave dhe reçelit që i janë dhuruar gjatë një aktiviteti publik.
Në një intervistë për CNN, Noboa ka deklaruar se analizat kanë nxjerrë në pah praninë e tre kimikateve në përqendrime të larta. Ai ka theksuar se një veprim i tillë “nuk mund të jetë i rastësishëm”.
“Ne kemi paraqitur një ankesë dhe kemi dorëzuar prova lidhur me përqendrimin e tre kimikateve,” ka thënë presidenti ekuadorian, duke mos dhënë detaje rreth personave të dyshuar për këtë ngjarje.
Autoritetet në Quito kanë nisur një hetim, ndërkohë që zyra e presidencës nuk ka konfirmuar nëse Noboa ka pasur probleme shëndetësore pas incidentit.
