49-vjeçari, i dënuar në Itali me 29 vite burg, u arrestua në Kuçovë
Një 49-vjeçar, i dënuar me 29 vite burg nga Italia, është arrestuar të enjten në Berat.
Personi i arrestuar është Armando Pjetri, i cili është dënuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit u arrestua edhe një 53-vjeçar, për veprën penale të strehimit, pasi rezultonte i shpallur në kërkim.
Në banesën ku strehohej personi i kërkuar ndërkombëtarisht, në lagjen “1 Maji”, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa, e cila u mor si provë materiale.
Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të shtetasit Armando Pjetri drejt Italisë.
Ndërkohë, materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
