Erdogani bën thirrje: SHBA-ja t’i bëjë presion Izraelit për zbatimin e armëpushimit në Gaza
Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka deklaruar të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të ndërmarrin veprime më të forta për të detyruar Izraelin të ndalojë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës. Ai theksoi se këto vende mund të marrin parasysh edhe sanksionet ose ndalimin e shitjeve të armëve drejt Izraelit.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshëm të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, është përfshirë në bisedime për armëpushimin si ndërmjetëse, pasi më parë luante një rol më pasiv. Ky angazhim i shtuar erdhi pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar mes Erdoganit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton armëpushimin dhe madje po e shpreh haptas angazhimin e tij. Megjithatë, Izraeli po vazhdon ta shkelë atë,” u shpreh Erdogan për gazetarë.
“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e plotë të armëpushimit dhe marrëveshjes nga ana e Izraelit,” shtoi ai, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij të premten.
“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve,” theksoi ai.
Ankaraja ka njoftuar se do t’i bashkohet një “task-force” për mbikëqyrjen e zbatimit të armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të angazhohen në kapacitete ushtarake apo civile, sipas nevojës. Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në rindërtimin e enklavës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës. I pyetur lidhur me komentet e Netanyahut, Erdogan u përmbajt nga kritikat e zakonshme ndaj liderit izraelit dhe duket se zbuti qëndrimin e tij të mëparshëm për një rol aktiv në terren në Gaza, duke deklaruar se bisedimet për këtë çështje janë ende në zhvillim.
“Bisedimet për task-forcën që do të veprojë në Gaza janë ende duke vazhduar. Modalitetet e saj nuk janë ende të qarta. Duke qenë një çështje me shumë dimensione, po zhvillohen negociata gjithëpërfshirëse. Ne jemi gati t’i ofrojmë Gazës çdo lloj ndihme në këtë drejtim,” tha ai.
Marrëdhëniet mes dy ish-aleatëve, Izraelit dhe Turqisë, janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë luftës në Gaza, pasi Ankaraja akuzon Qeverinë Netanyahu për “gjenocid”, një akuzë që Izraeli e ka mohuar vazhdimisht.
