Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Mirela Zavalani. Vendimi u shpall të premten, më 24 tetor, duke pranuar kërkesën përfundimtare të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, për largimin e saj nga sistemi i drejtësisë.
Mirela Zavalani ishte konfirmuar në detyrë më 15 qershor 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), pasi kishte deklaruar një pamundësi financiare prej 1.3 milionë lekësh, e cila u vlerësua si jopenalizuese.
Megjithatë, vendimi i KPK u kundërshtua nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila kërkoi verifikimin e përfundimeve të arritura në shkallën e parë të vetingut. Ajo propozoi dy mundësi: mbajtja në fuqi e konfirmimit ose ndryshimi dhe shkarkimi i subjektit.
Për shkak të përfundimit të mandatit të Komisionerëve Publikë, çështja në Kolegj u parashtrua nga prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqësonte drejtuesin e SPAK. Xholi kërkoi shkarkimin e Zavalanit për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit publik, argumente të cilat u kundërshtuan nga prokurorja.
Problemet u ngritën në lidhje me një apartament në Tiranë, pronë e saj dhe bashkëshortit, si dhe një supermarket me servis auto në Patos, Fier, të cilat ishin në bashkëpronësi të bashkëshortit me babanë e tij.
Xholi konstatoi deklarime të pasakta, kontradiktore dhe pamundësi financiare, duke e konsideruar situatën përtej kufijve të zbatimit të proporcionalitetit. Nga ana tjetër, prokurorja Zavalani e cilësoi ankimin si të njëanshëm, pa prova të qëndrueshme dhe si një interpretim të ndryshëm të fakteve dhe ligjit nga ana e Komisioneres Publike.
Kryetari i Kolegjit, Sokol Çomo, deklaroi se trupi gjykues arriti në përfundimin se kërkesa e drejtuesit të SPAK ishte e bazuar. Për këtë arsye, vendimi i KPK u ndryshua dhe Zavalani u shkarkua nga detyra.
Kolegji vuri në dukje deklarime kontradiktore të subjektit për supermarketin në Patos, duke e bërë të pamundur kontrollin e kësaj pasurie. Sipas KPA, deklarimet e ndryshme duket se janë bërë me qëllim përmirësimin e situatës financiare. Kolegji gjithashtu vlerësoi se subjekti nuk ishte bindës në pretendimet për përdorimin e një huaje nga vjehrri për krijimin e pasurive, veçanërisht pasi kjo huanë u deklarua si burim vetëm gjatë hetimit administrativ.
Të ardhurat nga qiradhënia e supermarketit, të deklaruara nga bashkëshorti i vëllait të bashkëshortit të saj, gjithashtu u konstatuan se ishin deklaruar vetëm gjatë hetimit administrativ. Kolegji konsideroi se shpjegimet dhe argumentet e subjektit bien ndesh me logjikën dhe provat e administruara.
Deklarimet lidhur me disa transferta bankare të bashkëshortit drejt vëllait të tij në SHBA, gjithashtu u gjetën jo bindëse. Analiza e Komisionit u konsiderua e pabazuar, ndërsa përllogaritet se bilanci negativ arrinte në shumën 5 milionë lekë, duke përjashtuar zbatimin e parimit të proporcionalitetit.
Në përfundim, Kolegji vlerësoi se subjekti nuk është e besueshme në kriterin e pasurisë dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.