SHBA/ Trump fillon turin në Azi, takim me homologun e tij kinez
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur turin e tij në Azi, gjatë të cilit do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Ditën e mërkurë, presidenti amerikan njoftoi një “udhëtim të madh” në Malajzi, Japoni dhe Korenë e Jugut, duke shënuar vizitën e tij të parë në rajon gjatë mandatit të tij presidencial.
Shtëpia e Bardhë publikoi të enjten detaje mbi programin e Trumpit, duke konfirmuar takimin me Xi-n, i cili do të zhvillohet të enjten, më 30 tetor, në Korenë e Jugut, në kuadër të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi–Paqësor (APEC).
“Të enjten në mëngjes, me orën lokale, presidenti Trump do të marrë pjesë në një takim dypalësh me presidentin Xi të Republikës Popullore të Kinës, përpara se të niset për në SHBA,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt.
Një luftë tregtare SHBA–Kinë, që ziente prej muajsh, shpërtheu në fillim të këtij muaji, kur Pekini zgjeroi ndjeshëm kufizimet mbi eksportet e mineraleve të rralla. Trump atëherë kërcënoi me tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera, por ditët e fundit është shprehur më optimist për mundësinë e një marrëveshjeje tregtare dypalëshe.
