Dalen pamjet: Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, godet me grusht një qytetar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, është përfshirë në një konfrontim fizik me një qytetar në qendër të Prishtinës. Incidenti ndodhi të premten, teksa deputeti po jepte një intervistë për “Gazeta Blic” në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Pas ngjarjes, policia është njoftuar dhe ka shoqëruar të dyja palët për të dhënë sqarime.
Më pas, deputeti Zemaj ka reaguar në rrjetet sociale, duke kërkuar falje për incidentin, por duke theksuar se “mbrojti dinjitetin e tij”.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do ta vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit me të cilin ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë vetëmbrojtëse, në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në raste të tilla sulmesh dhe ofendimesh të ulëta, sigurisht do të duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk më ka ndodhur kurrë gjatë karrierës sime. Dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo. E imja është të mos reagoj me emocione. Andaj, kjo duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, shkruan Zemaj në Facebook.
