Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon masë disiplinore ndaj prokurores Besiana Sadikaj
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) një kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Sarandës, Besiana Sadikaj. Arsyeja e kërkesës lidhet me shkeljen e rregullave dhe solemnitetit të sjelljes në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administratës.
ILD kërkon gjithashtu caktimin e masës disiplinore “vërejtje publike”. Prokurorja Sadikaj i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke ofruar shpjegime për rastet në fjalë.
Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj është iniciuar bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho. Ai u shkarkua nga detyra në gusht për probleme pasurie dhe cënim të besimit. Ndërkohë, edhe prokurorja Sadikaj kishte depozituar gjashtë ankesa ndaj Llahos, për të cilat KLP-ja kishte caktuar më parë dy masa disiplinore ndaj tij.
Përfaqësuesja e ILD-së ka parashtruar se prokurorja Sadikaj ka kryer veprime në kundërshtim me standardet e etikës, duke u cilësuar si sjellje e padenja, e pahijshme dhe pa vetëpërmbajtje. Këto veprime konsiderohen gjithashtu si shkelje e parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia, në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin administrativ.
Sipas ILD-së, sjellja dhe veprimet e prokurores Sadikaj janë kryer me dashje direkte dhe kanë shkaktuar diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, si dhe cenim të besimit të publikut tek drejtësia. ILD thekson se kryerja e këtyre veprimeve brenda ambienteve të prokurorisë dhe pranë oficerëve të policisë gjyqësore, krijon rrezikun që të ndiqet edhe nga magjistratë të tjerë, duke theksuar rëndësinë thelbësore të sjelljes së magjistratit jo vetëm brenda, por edhe jashtë ambientit të prokurorisë.
Duke marrë parasysh se shkelja është kryer për herë të parë dhe përvojën e pakët të magjistrates Sadikaj (dy vite), ILD konkludon se veprimet e ndërmarra përbëjnë “Shkelje të lehtë disiplinore”. ILD argumenton se qëllimi i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik dhe edukimi i magjistratit. Po ashtu, masat kanë për qëllim parandalimin e përsëritjes së veprimeve të tilla nga ana e Sadikajt, si dhe parandalimin e përgjithshëm për magjistratët e tjerë, duke theksuar se sjellja e papërshtatshme është e ndëshkueshme.
Në përfundim, ILD i ka kërkuar KLP-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin e masës “Vërejtje publike” ndaj prokurores Besiana Sadikaj.
Gjatë seancës dëgjimore, në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesja e ILD-së sqaroi se prokurori nuk mund të hyjë në zyrën e drejtuesit pa leje. Prokurorja Sadikaj u shpreh se nuk kishte hyrë në zyrë pa leje, por ishte qëndruar në korridor dhe kishte trokitur, duke shtuar se drejtuesi i prokurorisë i ishte kthyer me tone agresive, siç duket edhe në pamjet e regjistruara. Ajo shtoi se drejtuesi kishte fotokopjuar materialet e saj dhe ia kishte dërguar ILD-së.
Lidhur me një pyetje rreth nevojës për thirrjen e 11 anëtarëve të KLP-së për të shqyrtuar një situatë të shkurtër kohore, përfaqësuesja e ILD-së shpjegoi se, megjithëse diskutimet ishin vetëm 15 sekonda, bëhej fjalë për dy momente kryesore: mënyrën e hyrjes në zyrë dhe shpërfilljen e titullarit. Ajo gjithashtu parashtroi se çështja ka të bëjë edhe me rregullat e administrimit të dosjeve.
Prokurorja Sadikaj u pyet gjithashtu lidhur me kontrollin e saj në kompjuterin e një hetuesi. Ajo shpjegoi se bëhej fjalë për një të dhënë sekrete, një përgjim ambiental, që kishte dalë në kompjuterin e hetuesit. Sadikaj pohoi se hetuesit kishin qenë dakord dhe e kishin lejuar të kontrollonte, duke shtuar se më vonë ishte verifikuar një gabim teknik dhe prandaj nuk kishte bërë kallëzim.
Seanca dëgjimore për kërkesën e ILD-së ndaj prokurores Sadikaj u shty për datën 4 nëntor, në orën 10:00.