Abdixhiku: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para seancës së sotme ka deklaruar se tani është mundësia për të parë të vërtetën para popullit. Ai ka theksuar se për të formuar shumicën, personi që fiton zgjedhjet ose del i pari duhet të ndërmarrë përpjekje me çdo parti politike, dhe jo ta lërë këtë proces në ditën e fundit.
“Sot, mandatari duhet të prezantojë shumicën, gjë që është thelbi i demokracisë. Për të formuar këtë shumicë, një person që fiton zgjedhjet ose del i pari do të duhej të bënte përpjekje me çdo parti politike për të krijuar një shumicë, e jo ta linte në ditën e fundit. Dita e fundit është shou populist”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku ka shtuar se nesër do të ketë një takim, siç e quajti ai, miqësor dhe konsultativ me kryetarin e NISMA-s.
“Deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë siç mendojnë, por deri më tani kanë deklaruar se pa marrëveshje politike, nuk ka kuptim të ketë shumicë”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së shtoi se sipas të gjitha gjasave, do të shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
