Abuzimi me subvencionet e BE-së: Shtatë persona të arrestuar në Çeki, përfshirë dy zyrtarë të lartë
Autoritetet çeke kanë arrestuar shtatë persona, mes tyre dy zyrtarë të lartë nga ministria e Industrisë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mashtrim me fondet e Bashkimit Evropian. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), të dyshuarit tentuan të përvetësonin rreth 13.5 milionë euro (ekuivalente me 340 milionë korona çeke) përmes subvencioneve të BE-së.
Hetimi përqendrohet në fondet që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme për krijimin e një qendre inovative për startup-e në sektorin e strehimit, si dhe për programe shkencore. Ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë nga Departamenti i Planifikimit Urban. Institucionet përkatëse në Çeki nuk kanë dhënë ende komente mbi këtë çështje.
Sipas hetimeve të EPPO-së, një biznesmen i afërt me zyrtarë shtetërorë ka paraqitur informacione të rreme pranë ministrisë përgjegjëse për menaxhimin e fondeve, me qëllimin e përfitimit të paligjshëm të subvencioneve. Gjatë operacionit, policia çeke ka kryer 13 kontrolle në bashkëpunim me EPPO-në, duke sekuestruar një ndërtesë dhe rreth 2 milionë euro të gjendura në llogari bankare.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të abuzimit me fondet evropiane.
