Die. Dhj 16th, 2018

Abuzimi me ndihmën ekonomike, KLSH: Në Shqipëri nuk ka minimum jetik, ministria s’jep formulën

Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk mat varfërinë, pasi prej vitesh nuk ka të përcaktuar një minimum jetik.

Ndonëse trajton me ndihmë ekonomike mbi 80 000 familje, ku pagesa maksimale është 8 mijë leke të reja, kjo shumë nuk është vlerësuar duke pasur parasysh çmimet e produkteve të shportës dhe konsumit.

Shteti shqiptar paguan më shumë për një të burgosur se sa për një familje të varfër. Kjo ka rrezatuar edhe pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Nëse nuk ke një minimum jetik nuk di si të zbusësh varfërinë në vend. Për një të burgosur paguajme 12 euro në ditë, ndërkohë që një familje merr 8 mijë leke të reja në muaj”, thotë Rinald Muça, KLSH.

KLSH e konsideron jo efektive skemën e re të ndihmës ekomonike. Madje aludon që është një skemë abuzive pasi i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë formulën e përllogaritjes së pikëve për një familje që meriton të jetë pjesë e skemës por nuk i është vënë në dispozicion. Ndërkohë që ka një numër të madh të familjeve që janë përjashtuar nga skema.

“I kërkuam, nuk na e dhanë”, thotë Muça.

Nga ana tjetër, KLSH ngre shqetësim për një tjetër kategori personash që përfitojnë nga ndihma ekonomike siç janë jetimët pasi dalin nga institucionet e përkujdesjes dhe viktimat e dhunës.

“Deri pa dalë vendimi i gjykatës këta nuk marrin ndihmë”, thotë ai.

Kontroli i Larte i Shtetit i ka rekomanduar ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale që deri në shtator të këtij viti të ketë përllogaritur minimumin jetik të shqiptarëve.

InfoPasqyra/tch

Aktualitet – Top Channel

Kategori