Organizata italiane denoncon në gjykatë kostot e kampeve në Shqipëri
ActionAid Italia, një organizatë joqeveritare italiane, i është drejtuar Gjykatës së Llogarive (Corte dei Conti) me një ankesë prej 60 faqesh dhe Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC) me një raport të veçantë. Ajo kërkon një hetim për “shpërdorim të pajustifikueshëm të burimeve publike” lidhur me projektin e qendrave të paraburgimit për migrantët në Shqipëri, pjesë e protokollit Itali-Shqipëri.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga projekti “Trattenuti”, të cilin organizata e realizon në bashkëpunim me Universitetin e Barit, ActionAid i kërkon Prokurorisë Rajonale të Lazios të vlerësojë nisjen e një hetimi për dëm ndaj financave publike. Njëkohësisht, Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC) është njoftuar për parregullsi të dyshuara në dhënien e kontratës së menaxhimit të qendrave, me vlerë 133 milionë euro.
Në denoncim, organizata argumenton se “paratë publike u devijuan nga shëndetësia, drejtësia, mirëqenia dhe shërbimet, si dhe nga fondet e menaxhimit të emergjencave” për të mbajtur në funksionim një skemë që e cilëson “çnjerëzore, joefikase dhe të papajtueshme me ligjin”. Organizata thekson se humbja për financat publike “nuk mund të justifikohet si një gabim i thjeshtë teknik”.
Gjetjet e organizatës kanë vënë në dukje se fondet për ndërtimin e qendrave në Shëngjin dhe Gjadër u rritën nga 39.2 milionë euro në mbi 74 milionë euro. Kostua mesatare për një shtrat në Shqipëri arriti rreth 72 mijë euro, gati 11 herë më shumë se në qendrën model të Modicës në Itali. Investigimi gjithashtu zbuloi se e gjithë procedura u krye me negocim të drejtpërdrejtë dhe pa garë.
Qendrat, të cilat janë kritikuar gjerësisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, nuk kanë arritur të përmbushin funksionin për të cilin u ngritën. Ato, të konceptuara fillimisht si struktura “offshore” për shqyrtimin e kërkesave për azil, funksionojnë sot si qendra riatdhesimi (CPR) për persona që kanë qenë në territorin italian dhe ndaj të cilëve është marrë vendim ekstradimi. Ato mbeten pjesërisht të pashfrytëzuara, ndërsa ka raportime për vetëdëmtime dhe tentativa vetëvrasjeje mes të ndaluarve të transferuar aty.
Krahas kontratës së kontestuar të menaxhimit me vlerë 133 milionë euro dhe kostove të ndërtimit, ActionAid Italia ka denoncuar edhe kostot operacionale të qendrave, të cilat sipas tyre janë dhjetëra herë më të mëdha sesa në Itali. Organizata sqaron se vetëm për transportimin me anijen Libra u shpenzuan 2.6 milionë euro, përfshirë investimet për mirëmbajtjen dhe furnizimin e anijes, e cila më pas iu dhurua Shqipërisë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata përmes kërkesave për të drejtë informimi, Ministria e Brendshme ka shpenzuar 630,000 euro për transferime dhe blerjen e teknologjive të kontrollit. Ndërkohë, një zë buxhetor tepër i lartë lidhet me ushqimin dhe akomodimin për forcat e rendit.
“Ndërsa në vitin 2024 CPR-ja e Macomer (Provinca e Nuoro-s, Sardenjë) kushtoi 5,884.80 euro në ditë, në Shqipëri, për vetëm 120 orë operacione reale mes tetorit dhe dhjetorit, u shpenzuan pothuajse 18 herë më shumë, duke arritur në 105,616 euro në ditë”, thekson organizata. Sipas saj, këto kosto janë në disa raste edhe 28 herë më të larta se shuma ditore e shpenzuar në CPR-në në Itali.