Aeroporti Vlorë: Berisha akuzon Ballukun për korrupsion e dështim

Dokumenti/ Berisha: Balluku firmosi atë që refuzuan Ahmetaj dhe Gjiknuri!

Sali Berisha i është referuar një dokumenti të publikuar nga gazetarja Ola Xama, lidhur me transferimin e aksioneve të kompanisë turke YDA drejt Mabco Construction. Sipas tij, ky veprim ka anuluar tërësisht kushtin e dhënies së koncesionit, sipas të cilit konsorciumi fitues duhej të garantonte “aftësinë financiare, teknike dhe të operimit”.

“Firmosi kalimin e aksioneve nga kompania turke, e cila ka ekspertizën në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve, pa të cilën aeroporti nuk mund të ndërtohej. Pra, firmosi kalimin e aksioneve nga kjo kompani tek Mabco Construction. Që në këtë moment, tenderi rrëzohet,” tha Berisha. Ai shtoi se mbështetja kryesore e tenderit nuk ishte Mabco Construction, për shkak të mungesës së përvojës, por kompania turke që kishte ekspertizë si ndërtuese dhe menaxhuese aeroportesh. Sipas tij, miratimi i transferimit të aksioneve nga kompania turke anulloi “vazhdimin e aftësisë teknike dhe financiare” për aeroportin, duke shkaktuar gjithashtu mosmarrëveshje të brendshme mes aksionarëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.

Berisha deklaroi se firma e ministres Balluku për dhënien e 140 milionë eurove kompanisë koncensionare ishte refuzuar më parë nga Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri.

“Atë që Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk e firmosën, Balluku e firmosi me 140 milionë euro,” u shpreh Berisha në një konferencë për mediat.

Ai informoi qytetarët se historia e aeroportit të Vlorës është e tillë:

  • Në vitin 2017 u hap një tender, ku u paraqitën 4 kompani të mëdha turke.
  • Kompanitë turke kërkuan një garanci prej 120 milionë eurosh, ndërkohë që aeroporti ishte projektuar të kushtonte 105 milionë euro.
  • Dy ministra, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, refuzuan firmën e kësaj kontrate sepse kompania kërkonte 120 milionë euro pagesë nga qeveria, edhe sikur asnjë avion të mos fluturonte.

Berisha e cilësoi këtë si një “çmenduri” dhe “krim të shëmtuar”, duke akuzuar për “ignorancë dhe babëzi” ata që pretendojnë se po ndërtojnë aeroportin më të madh në Ballkan, duke pasur parasysh popullsinë e rajonit të Vlorës.

Ai shtoi se logjika ekonomike diktonte ndërtimin me faza, duke filluar nga një fazë e parë prej 20-30 milionë eurosh, siç u veprua me aeroportin e Rinasit, dhe duke u zgjeruar më vonë sipas rritjes së volumit dhe kërkesës.

“Një krim ndaj shqiptarëve ky, njëlloj si në Kukës, ku aeroporti u shndërrua në park fotovoltaik. Por jo, do ta bëjmë më të madhin që vjedhja të jetë maksimale,” tha ai.

Ai ripërsëriti se atë që Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk e firmosën, Balluku e firmosi me 140 milionë euro, duke vënë në dukje se shuma totale për taksapaguesit shqiptarë, edhe sikur asnjë avion të mos ulet, arrinte në 135-140 milionë euro.

Berisha akuzoi Ballukun si “shtyllën e zezë të korrupsionit”, duke sugjeruar se interesat kriminale të Edi Ramës, Taulant Ballës dhe dhëndrit të Ballukut, djali i Sadri Abazit (i martuar me kushërirën e parë të Ballukut), janë në zemër të kësaj çështjeje.

Ai krahasoi situatën me djegësin e Tiranës, ku u vodhën paratë pa u hedhur një tullë, ndërsa në aeroportin e Vlorës janë premtuar 140 milionë euro, pavarësisht kushteve.

Sipas tij, nëse nuk ka dëshirë për të vjedhur, nuk ndërtohet aeroport me 100 milionë euro, por me 15 milionë euro, duke filluar nga fillimi dhe duke u zgjeruar gradualisht sipas rritjes së pasagjerëve dhe kërkesave.

Ai shpjegoi se Balluku, përveçse firmosi kontratën për një siguri prej 140 milionë eurosh, një vit më vonë firmosi edhe transferimin e aksioneve nga kompania turke, e cila kishte ekspertizën thelbësore për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve, tek Mabco Construction. Ky veprim, sipas Berishës, ka rrëzuar tërësisht tenderin, pasi Mabco Construction nuk kishte përvojë, ndërsa kompania turke ishte shtylla kryesore e kualifikimit.

Berisha përfundoi duke sugjeruar se aksionet janë pronë e Edi Ramës dhe Ballukut, duke kërkuar hetim të gjithanshëm për këtë aferë, e cila në dukje paraqitet si një marrëveshje mes dy ortakëve, por që fsheh interesa shtetërore.

Scroll to Top