Aeroporti Vlorë: Hapja vonohet për shkak të problemeve ligjore

Pacolli pranon: Aeroporti i Vlorës nuk do të nisë punën më 1 mars 2026

Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se Aeroporti i Vlorës nuk do të jetë në funksion në datën 1 mars, afati i përcaktuar sipas kontratës me qeverinë shqiptare. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai theksoi se punimet do të jenë kryer, por operimi i tij do të shtyhet për shkak të përplasjeve mes aksionerëve dhe një vendimi gjyqësor.

“Në datën 1 mars nuk është reale që të fluturojnë, por aeroporti do të kryhet ashtu siç e sheh kontrata në shkurt të vitit të ardhshëm”, tha Pacolli. Sipas tij, ndërtesat do të jenë të përfunduara plotësisht, por për shkak të një mase siguruese nga gjykata, entiteti Vlora International Airport (VIA) nuk mund të punojë për të siguruar operimin e fluturimeve.

“Ka një masë siguruese që u lëshua para disa javësh, që totalisht e ka bllokuar mbarëvajtjen e VIA-s, të aeroportit të Vlorës. Punimet vazhdojnë, por entiteti VIA, duhet të bëjë stafin, duhet ta trajnojë, duhet të instalojë sistemin informatik, duhet të bëjë të gjitha përgatitjet, duhet të bëjë kontratat me kompanitë ajrore. Tash për tash janë të bllokuara, askush nuk guxon të bëjë diçka, madje as ata punëtorë që kanë qenë të paguar nga VIA, pagat nuk i marrin”, shpjegoi Pacolli.

Ai theksoi se nuk e kupton logjikën pas një mase të tillë siguruese. “Në botën e civilizuar ekzistojnë masat siguruese, por siguruesi duhet të depozitojë një shumë goxha të madhe nëse dëmtohet pala tjetër. Domethënë gjykatësi duhet ta shpërblejë me atë masë. Masa që është lëshuar dhe bllokohet një entitet shtetëror, një entitet publiko-privat, më i madhi në Shqipëri që ka ndodhur deri tani për mua nuk është reale dhe si kanë menduar ta bëjnë atë unë nuk e di”, u shpreh ai.

Pacolli tha se nuk ka një datë se kur do të zgjidhet kjo situatë, por theksoi se sa më shumë të zgjasë masa siguruese, aq më shumë do të shtyhet mundësia për hapjen e aeroportit.

Më 31 tetor 2025, biznesmeni Behgjet Pacolli u mor në pyetje në Prokurorinë e Tiranës lidhur me konfliktin me ortakun e tij, Valon Ademi, për koncesionin e aeroportit të Vlorës. Prokuroria ka regjistruar procedim penal për mashtrim me pasoja të rënda dhe mashtrim kompjuterik, bazuar në dy kallëzime, nga Pacolli dhe Ademi. Pavarësisht konfliktit mes ortakëve, Pacolli konfirmoi se mosmarrëveshjet nuk do të pengojnë përfundimin e aeroportit.

Scroll to Top