“Pa burka nuk ka kujdes shëndetësor”: Talebanët shtrëngojnë sërish rregullat, gratë afgane nuk lejohen të hyjnë në spital pa veshjen e veçantë
Autoritetet talebane në Afganistan kanë lëshuar një urdhër sipas të cilit pacientet femra, kujdestaret dhe stafi duhet të veshin burka – një vello të plotë islamike – për të hyrë në mjediset e shëndetit publik në qytetin perëndimor të Heratit.
Organizata bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières (MSF) raporton se këto kufizime hynë në fuqi më 5 nëntor.
“Këto kufizime pengojnë më tej jetën e grave dhe kufizojnë aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor,” u shpreh për BBC-në Sarah Chateau, menaxhere e programit të agjencisë në Afganistan. Ajo shtoi se edhe personat që “kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor” janë prekur nga këto masa.
Një zëdhënës i qeverisë talebane ka mohuar pretendimet e MSF-së, duke thënë se raportet tregojnë se kufizimet janë lehtësuar pjesërisht që kur është ngritur alarmi.
MSF, e cila mbështet shërbimet pediatrike në Spitalin Rajonal të Heratit, raportoi një rënie prej 28% në numrin e pacientëve urgjentë gjatë ditëve të para të zbatimit të masave të reja.
Zonja Chateau ka deklaruar se anëtarë talebanë u kanë mohuar hyrjen grave pa burka në hyrjet e institucioneve shëndetësore.
Një burka është një veshje që mbulon fytyrën dhe trupin, duke lënë zakonisht vetëm një rrjetë për të parë.
Një zëdhënës i talebanëve nga Ministria e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve, e cila zbaton doktrina fetare, hodhi poshtë raportet se gratë po detyroheshin të mbanin burka. “Kjo është krejtësisht e gabuar. Qëndrimi i ministrisë së veseve dhe virtyteve është përgjithësisht mbi mbajtjen e hixhabit,” tha Saif-ul-Islam Khyber.
Zyrtari taleban hodhi poshtë gjithashtu raportet se grave u është ndaluar hyrja në qendrat mjekësore për shkak të mosmbajtjes së burkës. Në të njëjtën kohë, zyrtari theksoi: “Hixhabi interpretohet ndryshe në pjesë të ndryshme të vendit, shumica e të cilave janë në kundërshtim me ligjin e Sheriatit.”
Aktivistët kanë pohuar gjithashtu se rojet talebane kanë detyruar gratë të veshin burka për të hyrë në objektet kryesore gjatë javës së kaluar. Një aktiviste femër nga provinca Herat i tha BBC-së se kodi i veshjes ishte i zbatueshëm për ata që donin të hynin në spitale, shkolla dhe zyra qeveritare.
Ka pasur kritika në mediat sociale lidhur me vendimin e raportuar të talebanëve për të imponuar burkën në Herat. Një aktivist afgan postoi një video në X ku shihen disa gra që i vënë flakën rrobave të tyre në shenjë proteste kundër sundimit të talebanëve.
Talebanët zbatuan detyrimin për burkën gjatë mandatit të tyre të parë në pushtet në vitet 1990. Që nga marrja e pushtetit në gusht 2021, qeveria talebane ka vendosur kufizime të shumta, veçanërisht për gratë, në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit.
