Aflatoksina në qumësht: Industria parandaloi, ja çfarë duhet bërë

## Aflatoksina në qumësht: Industria veproi para institucioneve

Në vazhdim të diskutimeve të nxitura nga ndalimi i prodhimit të qumështit të kontaminuar me aflatoksinë, zbuluar në disa ferma në Lushnjë, një ekspert i sigurisë ushqimore ka sqaruar rreziqet për shëndetin nga shpërndarja e tij në treg dhe ka vlerësuar pozitivisht vendimin parandalues.

I ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, Arben Zusi, ish-zëvendësministër i Bujqësisë, theksoi se ndryshe nga rastet e mëparshme, ku shkeljet zbuloheshin kryesisht nga autoritetet, këtë herë ishte industria përpunuese e qumështit, kompania Lufra, ajo që vendosi bllokimin e lëndës së parë të dyshuar për kontaminim. Ky veprim, sipas tij, ishte konform ligjit dhe jetik.

“Nëse do ta nxirrte atë produkt në treg, kompania do të shkelte ligjin, do të bëhej cak dhe do të rrezikonte falimentimin,” shpjegoi Zusi, duke rikujtuar rastin e vitit 2012, kur një kompani falimentoi pikërisht për mosmarrjen e këtij hapi. “Qytetarët duhet të jenë mirënjohës për këtë vendim. Në gjithë botën, industritë kanë qenë ato që kanë vendosur standardin,” shtoi ai.

Duke iu referuar ligjit “Për Ushqimin” të vitit 2008, ku ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, përmban mikroorganizma apo parazitë mbi vlerat normale të miratuara dhe nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim, Zusi vuri në dukje se vendimi i kompanisë Lufra ishte i justifikuar moralisht dhe ligjërisht.

Më tej, Zusi theksoi se përgjegjësia për zgjidhjen e problemit bie mbi institucionet. Sipas tij, nëse industria ka bërë detyrën duke bllokuar qumështin e kontaminuar, atëherë dëmi ekonomik i fermerëve duhet kompensuar 100% nga shteti.

“Fermerët nuk janë të qëllimshëm në veprimtarinë e tyre; ata bëjnë aq sa dinë. Institucionet, të cilat kanë për detyrë këtë punë, duhet të gjejnë zgjidhje. Fermerët nuk kanë shkollë, nuk janë veterinerë dhe nuk kuptojnë nga proceset teknike, prandaj duhet të asistencohen,” argumentoi ai. Zusi përmendi se dhjetëra milionë euro shkojnë për mbështetjen dhe këshillimin, duke përmendur shërbimet ekzistuese në Ministrinë e Bujqësisë si “Shërbimi i Këshillimit”, “Shërbimi Veterinar” dhe “Shërbimi i AKU-së”.

“Nëse qumështi me aflatoksinë është ndaluar nga industria, të cilës i jemi mirënjohës që na ka mbrojtur, dëmi ekonomik që u është bërë atyre fermerëve do të duhet kompensuar 100% nga institucionet publike, të cilat kanë lejuar që ky produkt, kjo lëndë e parë e kontaminuar, të futet në vend. Pesha e kësaj situate nuk duhet ta mbajnë fermerët,” përfundoi ai.

Zusi sqaroi se aflatoksina nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por raste të tilla raportohen rregullisht në Gjermani, Itali, Francë dhe SHBA. “Në vitet ’80 kjo ka qenë shumë problematike në Europë, por industria reagoi dhe sistemi u përmirësua. Nuk bëhet fjalë për eliminim total të riskut, por për kapje të menjëhershme,” tha ai. “Janë dhjetëra dhe qindra raste edhe në Europë dhe Amerikë, ka raportime çdo muaj për raste të aflatoksinës. Ajo që është e rëndësishme në këto vende është se kapet menjëherë dhe fermeri ka kontakt të drejtpërdrejtë me institucionet,” theksoi ai.

Rasti i Lushnjës, sipas tij, nxjerr në pah tre nevoja urgjente: kontrolle më të forta mbi importin e ushqimit për kafshët; mbështetje reale për fermerët përmes këshillimit dhe monitorimit teknik; si dhe një mekanizëm kompensimi kur fermerët dëmtohen.

Scroll to Top