Hën. Nën 19th, 2018

Agjenti i CR7: Juventusi, klubi i fundit në karrierën e tij

Arkitekti i transferimit të shekullit është ai, quhet Jorge Mendes dhe ka atributet e babait të Cristiano Ronaldos, edhe pse nuk e lidh asgjë biologjikisht me futbollistin portugez.

Superagjenti i fituesit të “Topit të Artë” u shpreh i kënaqur për mënyrën sesi shkuan tratativat, që çuan lojtarin e përfaqësuar prej tij te Juventusi.

Njeriu që arrin të realizojë edhe misione të pamundura në merkaton e futbollit, i dhuroi Cristiano Ronaldos një tjetër kapitull emocionues në karrierë.

“Jam shumë i lumtur për Cristianon dhe besoj se Juventusi do jetë klubi i tij i fundit. I lumtur që Ronaldo mori këtë vendim, pasi me këtë skuadër do të mbyllë karrierën e mrekullueshme. Falënderoj në mënyrë të veçantë presidentin Andrea Agnelli për vendosmërinë në tratativat me Realin e Madridit”, tha agjenti i lojtarit luzitan.

Prokuratori i atij që është fitues i “Topit të Artë” dhe kandidat për ta rifituar, do të marrë rreth 25 milionë euro, si kosto ndërmjetësimi, ndërsa Cristiano Ronaldo do të paguhet rreth 30 milionë euro në sezon.

InfoPasqyra/tch

Sport – Top Channel

Kategori