Çfarë ndodhi me Shehajn? Kush gaboi me afatet e pezullimit të tij? Balla: Është delirant! Kreu i Mundësisë: Rama më ka frikë
TIRANË – Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nuk u lejua të hynte në sallën e Kuvendit, duke u nxjerrë jashtë me forcë nga punonjësit e Gardës së Republikës.
Shkak për këtë situatë është bërë një vendim i Sekretariatit të Etikës në Kuvend, datë 22 Qershor, i cili pezulloi nga punimet dy deputetët e Partisë Mundësia. Arsyeja ishte qëndrimi që ata mbajtën në seancën e datës 18 kundrejt kryeministrit Edi Rama.
Në vendimin që disponon SHEKULLI, thuhet se Shehaj është pezulluar për 30 ditë kalendarike nga punimet e Kuvendit, dhe vendimi hynte në fuqi më 22 Qershor.Duke llogaritur këtë afat, dënimi i Shehajt duhet të kishte përfunduar më 22 Korrik.
Megjithatë, disa ditë më parë, kreu i Mundësisë ka vendosur të apelojë vendimin. Sipas Taulant Ballës, me ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, në momentin e shqyrtimit të kërkesës, afatet e dënimit pezullohen. Kjo do të thotë se dy ditët që Komisionit të Etikës i janë dashur për të rishikuar vendimin për Shehajn, i shtohen dënimit të tij.
Sipas Ballës, shërbimet e Kuvendit e kishin njoftuar Shehajn se vendimi i pezullimit do të ishte në fuqi edhe gjatë ditës së sotme.
“Është dënuar më 22 qershor për 30 ditë dhe vetëm 2-3 ditë më parë ka depozituar kërkesën në Byro për rishqyrtim. Me ndryshimet e reja të rregullores, kur dorëzohet kërkesa për rishqyrtim, afatet pezullohen. Pra, 48 orët e shqyrtimit nuk llogariten brenda 30 ditëve, por afati shtyhet në 32 ditë. Kush ka pak njohuri për afatet, e kupton këtë. Ai është një delirant. Afati i mbaron nesër. Kryetari i Kuvendit dhe shërbimet ia kishin bërë të qartë sqarimin, i kishin thënë se afati i përfundon të premten. Po meqë kërkon vëmendje, aty s’na lënë se hamë ndonjë vezë, hajde se po shtyhemi”, tha Balla.
Nga ana tjetër, sipas vetë Shehajt, nxjerrja e tij jashtë Kuvendit është bërë me urdhër të Edi Ramës.
“Me urdhër të Edi Ramës, Garda ndaloi hyrjen time sot në Kuvend. Edhe pse afati i përjashtimit ka skaduar prej dy ditësh, si në diktaturë, më ndaluan të futesha për të përfaqësuar zërin e qytetarëve. Pse? Sepse Rama nuk e kapërdin dot atë që i bëra në Parlament. Sepse ia thashë në sy që është Kryeministri më i korruptuar që ka pasur Shqipëria dhe ka vjedhur popullin më të varfër të Europës. Po u vjen fundi!”, thotë Shehaj në reagimin e tij.
