Ahmetaj publikon fatura: Biznesi pagoi për Ramën e Ballukun

Ahmetaj publikon fatura: Biznesi pagoi për Ramën, Ballukun dhe Ibrahimajn

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë publike akuza të reja që implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku në lidhje me aferën e Tunelit të Llogarasë. Gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj deklaroi se kompania Hill International ka mbuluar shpenzimet për udhëtime dhe hotele të kryeministrit Rama, zv.kryeministres Balluku, si dhe të ministres Delina Ibrahimaj.

Sipas tij, këto veprime përbëjnë një konflikt të pastër interesi dhe ngrenë dyshime të forta për përfitime të paligjshme nga një kompani e cila ka përfituar drejtpërdrejt nga një tender publik.

Ahmetaj nënvizoi se, nëse do të aplikohej i njëjti standard që është përdorur ndaj tij nga organet e drejtësisë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të duhej të kishte marrë masa sigurie edhe për Ramën, Ballukun dhe Ibrahimajn, pasi faktet e paraqitura janë të krahasueshme dhe po aq komprometuese.

“Duhet të çojnë për hetim edhe Delinën, sepse përderisa kanë çuar mua që kam fjetur në një hotel me gruan, duhet të çojnë edhe Delinën që ka firmosur rialokimin e fondeve,” – tha Ahmetaj.

Sipas deklarimeve të tij, kompania Hill International, në bashkëpunim me Net Group shpk (një kompani e lidhur me ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi), u shpallën fituese të një tenderi me vlerë 2 milionë euro për mbikëqyrjen e punimeve të Tunelit të Llogarasë.

Ahmetaj kujtoi se SPAK ka zbardhur komunikime mes Evis Berberit dhe përfaqësuesve të Hill International, ku ngrihen shqetësime serioze lidhur me cilësinë e punimeve që po kryhen në tunel.

Ai gjithashtu solli në vëmendje faktet e publikuara nga emisioni “Plug” në Syri TV, sipas të cilave Hill International ishte angazhuar fillimisht nga Bashkimi Europian për të asistuar qeverinë shqiptare me ekspertizë teknike. Megjithatë, më pas, sipas Ahmetajt, Edi Rama dhe Belinda Balluku i kanë dhënë kësaj kompanie fonde publike, edhe pse ajo paguhej tashmë nga BE, duke krijuar kështu dyshime të forta për pagesa të dyfishta dhe shpërdorim të fondeve shtetërore.

Scroll to Top