Ahmetaj: Rama pranoi ndërhyrje në tendera, kërkon hetime

Arben Ahmetaj: Rama pranoi ndërhyrje në tendera në konferencën e fundvitit!

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj i ka reaguar deklaratës së kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit, ku ky i fundit duket se ka pranuar takime me biznesmenë para dhënies së tendereve nga ministrja Belinda Balluku. Ahmetaj e ka cilësuar këtë si arsye për ta kërkuar nga Altin Dumanit marrjen e kryeministrit si të pandehur.

“Kush je ti që merresh me konkurencën? Që cakton ku do shkojnë paratë e shqiptarëve? Ti cakto buxhetin e shtëpisë tënde, ky është buxheti i shqiptarëve. Pse nuk e merr Altin Dumani të pandehur atë?” ka pyetur Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, kryeministri Rama përmendet në bisedat mes Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi, si personi që kishte dhënë porosi për ndarjen e tendereve mes biznesmenëve. Këto biseda janë pjesë e dosjes hetimore për Belinda Ballukun, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim për arrestim, por nuk e ka përfshirë kryeministrin në hetime pavarësisht mesazheve të gjetura.

Ahmetaj pretendon se pronat dhe pasuritë e shqiptarëve ndahen rregullisht me porosi të kryeministrit mes 15 biznesmenëve të lidhur me të.

“Kam një sfidë për shqiptarët, për ju gazetarët. Merrni hartën e Shqipërisë dhe gjeni një projekt që është jashtë 15 oligarkëve dhe gjeni një gjë që e ka dhënë ky jashtë interesit të vet. Merr jugun, dhënë atij atij atij, merr Shqipërinë e mesme. Të gjitha me ligjin e investimeve strategjike. Merreni dhe çojeni në Gjykatën Kushtetuese, u bë për 5 vjet. Por ky e përdor për të çuar prona shtetërore aty ku i do qejfi këtij, pa tender, pa garë. Ky është frymëzimi që thotë ndonjë në Bruksel, që ‘Shqipëria është frymëzim?'” është shprehur Ahmetaj.

Scroll to Top