Numërim me Inteligjencë Artificiale në Tepelenë: Celibashi shpjegon si do funksionojë
Inteligjenca Artificiale do të përdoret në Bashkinë e Tepelenës si pjesë e një projekti pilot për numërimin e votave. Megjithëse KQZ ka deklaruar se do të përdoret AI, Komisioni Zonal i Administrimit të Votave (KZAZ) raporton se nuk ka marrë ende udhëzimet e nevojshme.
KZAZ 80 në Tepelenë ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë udhëzim apo pajisje lidhur me këtë çështje. Në lidhje me këtë, reagoi edhe kryekomisioneri Ilirian Celibashi, i cili sqaroi se projekti pilot do të realizohet nëpërmjet kamerave të instaluara në qendrën e numërimit të votave.
Me anë të një programi të Inteligjencës Artificiale të instaluar në KQZ, do të bëhet i mundur një numërim paraprak i votave. Celibashi shtoi se të dhënat do të mbërrijnë në kohë reale në KQZ, ndërsa komisionerët do të vazhdojnë numërimin normalisht.
