Pasi shiti bileta deri në mëngjes, Air Albania anulon sërish fluturimet, nuk pranon falimentin.
Ndërsa pritej që Air Albania të rifillonte fluturimet drejt Stambollit të premten, pasi deri në mëngjesin e asaj dite ishte e mundur të blije bileta online, afër mesditës këto fluturime janë anuluar sërish. Tani, në faqen e Air Albania tregohet që nuk ka fluturime deri të hënën, ndërsa ato pritet të rifillojnë të martën pasdite, më 16 dhjetor.
Burime pranë kompanisë kanë deklaruar se shoqëria nuk ka falimentuar, por po punon për të zgjidhur problemet dhe për të rifilluar fluturimet, pavarësisht se fillimisht ishte planifikuar që ato të rinisnin të premten. Ky është rasti i tretë brenda dy javësh që kompania anulon fluturimet, ndonëse ka vijuar të shesë bileta.
Agjencitë e udhëtimit raportojnë se tashmë kanë frikë nga anulimet dhe nuk po blejnë më bileta me Air Albania për në Stamboll. Udhëtimet tranzit me Turkish Airlines po bëhen përmes aeroporteve të Podgoricës ose Prishtinës.
Air Albania përballonte një fluks të lartë udhëtimesh drejt Stambollit, me dy deri në tre fluturime në ditë. Këto fluturime shërbenin si për lidhje direkte për ata që udhëtonin për tregti apo turizëm, ashtu edhe për faktin se aeroporti më i madh i Europës është një nyje e rëndësishme tranziti me gjithë botën.
Sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport, për vitin 2024 nga dhe drejt Stambollit nga Rinasi udhëtuan rreth 408 mijë pasagjerë, duke e bërë këtë destinacionin e gjashtë me trafikun më të lartë, pas Milano+Bergamo, Londrës, Romës, Bolonjës, Trevisos dhe Pizës.
Problemet me operatorin kanë filluar në mes të nëntorit, pasi Turkish Airlines ka njoftuar vendimin për të shitur gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania. Për dy javë nuk është e mundur të blesh bileta tranziti përmes Turkish Airlines, ndërsa biletat nga Tirana në Stamboll priten nga vetë Air Albania. Megjithatë, edhe kur merren, ato vetëm po anulohen dhe nuk ka asnjë informacion për mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve, të cilët duhet të marrin rimbursim, edhe pse Air Albania ishte një nismë shtetërore dhe qeveria zotëron 10% të aksioneve përmes kompanisë shtetërore Albcontrol.
Në vitin 2023, Air Albania ishte operatori i dytë më i madh në vend, duke zotëruar 7% të tregut. Megjithatë, në vitin 2024, pozicioni i saj ka rënë në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% sipas numrit të pasagjerëve. Dominimi më i lartë i kompanisë u shënua në vitin 2021, kur arriti të zotëronte 18% të tregut. Më pas, konkurrenca nga “Wizz Air” dhe “Ryanair” ndikoi në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar kurrë bilanc financiar. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, duke arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023. Për vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje të larta, duke e kthyer atë sot në një shoqëri në prag të falimentimit.
