Air Albania mbetet në tokë, por vazhdon të shesë bileta
Air Albania, operatori kombëtar i fluturimeve ajrore, po përballet me probleme të mëdha ditët e fundit. Sipas faqes zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), gjatë ditës së sotme, 8 dhjetor, Air Albania nuk ka kryer asnjë fluturim. Për datën 9 dhjetor, gjithashtu, nuk ka asnjë fluturim të planifikuar me Air Albania të shënuar në faqen e TIA.
Agjencitë e udhëtimit konfirmuan për Monitor se operatori ajror nuk ka kryer fluturime që nga e shtuna. Pasagjerët që kishin udhëtime ndërkontinentale nëpërmjet Stambollit janë drejtuar përmes Aeroportit të Prishtinës ose atij të Podgoricës.
Edhe pse në faqen e TIA nuk shfaqet asnjë fluturim i programuar nga Air Albania për datën 9 dhjetor, agjencitë thanë se fluturimet vazhdojnë të jenë të dukshme në sistem. Për më tepër, është ende e mundur të blihen bileta drejt Stambollit nga faqja e Air Albania që prej të martës në mbrëmje.
Ndonëse në faqen e kompanisë shfaqen shumë destinacione, prej kohësh Air Albania operonte vetëm me linjat drejt Stambollit dhe Milanos. Megjithatë, tashmë nuk ka më asnjë fluturim drejt Milanos. Stambolli mbetet i vetmi destinacion ku Air Albania vazhdon të shesë bileta.
Agjencitë e udhëtimit deklaruan se kompania ka njoftuar se fluturimet do të rifillojnë të martën dhe udhëtimet rezultojnë aktive në sistem. Problemet me operatorin kanë filluar pasi Turkish Airlines ka njoftuar vendimin për të shitur të gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania.
Agjencitë e udhëtimit shpjeguan se deri të shtunën ato mund të prisnin bileta nëpërmjet Turkish Airlines për udhëtimet tranzit, ndërsa biletat nga Tirana në Stamboll priteshin drejtpërdrejt nga Air Albania. Pas ndërprerjes së fluturimeve të Air Albania të shtunën, agjencitë nuk mund të prisnin më me Turkish Airlines.
Në mesin e muajit nëntor, në një njoftim të publikuar në Platformën Turke të Transparencës Publike (KAP), Turkish Airlines deklaroi: “Bordi ynë ka vendosur të shesë të gjithë pjesëmarrjen në Air Albania SHPK, në të cilën kompania jonë zotëron 49%. Zhvillime të rëndësishme do të ndajmë së shpejti me investitorët.”
Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë. Aksioneri kryesor i linjës ajrore ishte kompania turke Turkish Airlines (49,12%), ndërsa aksionet e mbetura ndaheshin mes Albcontrol (~10%), ndërmarrja shtetërore shqiptare, dhe një kompanie private shqiptare, MDN Investment (~41%). Fluturimi i parë i rregullt u krye më 14 shtator 2018, në linjën Tiranë–Stamboll.
Në vitin 2023, Air Albania ishte operatori i dytë më i madh në vend, duke zotëruar 7% të tregut. Megjithatë, në vitin 2024, ajo zbriti në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% sipas numrit të pasagjerëve. Konkurrenca nga “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, duke arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023. Për vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, bazuar në të dhëna indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje të larta, duke e kthyer atë sot në një shoqëri praktikisht të falimentuar.
