### Shkëlqimi dhe rënia e “Air Albania”, dueli i heshtur me “Turkish Airlines”
Në shtator 2018, “Air Albania” kreu fluturimin e parë inaugurues në linjën Tiranë – Stamboll. Ky fluturim shënoi fillimin e operacioneve të kompanisë si linja ajrore kombëtare e re e Shqipërisë. Krijimi i “Air Albania” u konsiderua si rikthimi i një linje kombëtare, pas mungesës së një kompanie shtetërore që nga mbyllja e “Albanian Airlines”. Projekti u prezantua si një bashkëpunim strategjik me “Turkish Airlines”, kompania më e madhe ajrore turke, me qëllim rritjen e lidhjeve ajrore të Shqipërisë.
“Air Albania” u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një Partneritet Publik-Privat mes Shqipërisë dhe Turqisë. Aksioneri kryesor ishte “Turkish Airlines” me 49,12%, ndërsa aksionet e mbetura ndaheshin mes ndërmarrjes shtetërore shqiptare “Albcontrol” (~10%) dhe kompanisë private shqiptare “MDN Investment” (~41%).
Në dy vitet pas fillimit të aktivitetit, kompania pati një rritje të shpejtë, duke arritur 18% të tregut në vitin 2021 dhe duke u renditur si operatori i dytë pas “Wizz Air” (me 34% të tregut). Kompania kishte plane ambicioze për zgjerimin e destinacioneve në Europë, Itali, Britani, dhe madje edhe drejt SHBA-së. Kryeministri Rama, në tetor 2024, përmendi mundësinë e një fluturimi të drejtpërdrejtë ndërkontinental drejt Nju Jorkut në të ardhmen, në lidhje me hapjen e Aeroportit të Vlorës.
Megjithatë, pas vitit 2021, “Air Albania” filloi të humbiste terren. Rritja e operatorit me kosto të ulët “Wizz Air” i “bllokoi” shumë nga destinacionet e synuara, përveç Stambollit. Në vitin 2024, konkurrenca u shtua edhe me hyrjen e “Ryanair”.
Vitet e fundit, “Air Albania” përballte një fluks të lartë udhëtimesh drejt Stambollit, kryesisht për arsye tregtare dhe turistike, si dhe për shkak të rolit të aeroportit të Stambollit si nyje globale tranziti. “Pegasus Airlines” ishte operatori tjetër me linjë direkte drejt Stambollit.
Duke u fokusuar vetëm në një destinacion, pesha e “Air Albania” në tregun e fluturimeve zbriti në 10% në vitin 2022 dhe në 3.4% në vitin 2024. Goditja më e rëndë erdhi në nëntor 2025, kur “Turkish Airlines” njoftoi shitjen e pjesës së saj prej 49% në “Air Albania” dhe më pas pezulloi shitjen e biletave tranzit. Kjo bëri që “Air Albania” të anulonte vazhdimisht fluturime, duke i ndaluar plotësisht në dhjetor. Kompania e mbylli vitin 2025 me një pjesë tregu prej vetëm 2.33%, duke u renditur e pesta në vend.
Në janar 2026, “Turkish Airlines” njoftoi nisjen e fluturimeve direkte nga Tirana drejt dy aeroporteve të Stambollit, ndërsa “Ajet”, krahu me kosto të ulët i “Turkish Airlines”, njoftoi fluturime drejt Stambollit dhe Ankarasë nga marsi, duke nxjerrë tërësisht “Air Albania” nga tregu turk.
### Dueti i heshtur mes “Turkish Airlines” dhe “Air Albania”
Që në fillim, “martesa” mes “Turkish Airlines” dhe “Air Albania” u konsiderua si e detyruar, më shumë se një marrëveshje politike. Burime pranë kompanisë e përshkruajnë historinë e saj si të ndërlikuar, ku pleksen interesa politike, ekonomike dhe gjeopolitike. Kompania, ku “Turkish Airlines” zotëronte 49% të aksioneve dhe shteti shqiptar 10%, u keqpërdor politikisht nga të dyja palët. Kjo solli keqmenaxhim, rritje fiktive të detyrimeve deri në 80 milionë euro, probleme me ndarjen e të ardhurave nga biletat, mungesë mbështetjeje si operatori flamurtar kombëtar, dhe favorizime ndaj kompanive të tjera me kosto të ulët.
Mungesa e plotë e transparencës financiare ishte gjithashtu e dukshme. “Air Albania” nuk dorëzoi asnjëherë bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe nuk iu nënshtrua kurrë auditimit. Pavarësisht një qarkullimi vjetor prej 4-5 miliardë lekësh, kompania rezultonte gjithmonë me humbje, duke e kthyer atë në një shoqëri praktikisht të falimentuar me borxhe të papërcaktuara. Për një vit e gjysmë, menaxhimin e kishte kompania turke, më pas e mori aksioneri privat shqiptar me plane për shtim destinacionesh, por ato u ndërprenë kur “Turkish Airlines” nxori aksionet për shitje.
### A ka shpresa për rikthim?
Në fund të janarit 2026, Këshilli i Ministrave vendosi transferimin e 10% të kuotave të kapitalit të “Albcontrol” në “Air Albania” te Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit. Kjo ministri, sipas vendimit, ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrimet si ortak. Burimet sugjerojnë se kjo është përpjekja e fundit për të mbajtur gjallë “Air Albania”. Plani synon që kuotat e “Turkish Airlines” t’i marrë qeveria shqiptare dhe më pas t’ia kalojë një pjesë një operatori ajror ndërkombëtar. Me Turqinë e “zënë”, destinacionet e synuara janë Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Çështja kryesore që mbetet për t’u zgjidhur është ajo e borxheve dhe se cila palë do t’i marrë përsipër.
### Historia e komplikuar e “B&H Airlines” dhe “Turkish Airlines”
Historia e “Air Bosna”, më vonë “B&H Airlines”, lidhet ngushtë me përpjekjet e Bosnjë-Hercegovinës për të pasur një linjë ajrore kombëtare pas luftës dhe me hyrjen si investitor të “Turkish Airlines”. “Air Bosna” u krijua në vitin 1994, por operoi me vështirësi financiare dhe u mbyll në vitin 2003 për shkak të borxheve dhe mungesës së kapitalit.
Në vitin 2005, kompania u rilançua si “B&H Airlines”, duke trashëguar rolin e linjës kombëtare, por me një flotë të vogël dhe varësi nga mbështetja shtetërore. Në vitin 2008, “Turkish Airlines” u bë partner strategjik, duke blerë rreth 49% të aksioneve me synimin për stabilizim, sjellje kapitali dhe ekspertize menaxheriale. Megjithatë, “B&H Airlines” vazhdoi të kishte humbje financiare dhe nevojë për subvencione.
Mosmarrëveshjet mes partnerit turk dhe qeverisë boshnjake u shtuan, dhe në vitin 2012, “Turkish Airlines” u tërhoq nga partneriteti. Pas largimit të investitorit, situata financiare u përkeqësua, flota u tkurr dhe kompania humbi aftësinë për të operuar. Në vitin 2015, “B&H Airlines” hyri në falimentim, duke shënuar fundin e përpjekjes së Bosnjë-Hercegovinës për të pasur një linjë ajrore kombëtare. Historia e saj konsiderohet një shembull klasik i vështirësive të linjave kombëtare në tregje të vogla, sidomos kur varen nga mbështetja shtetërore dhe kanë flotë e rrjet të kufizuar.
