VIDEO/ Momenti i rrëzimit të një helikopteri në Rusi, të paktën katër të vdekur
Katër drejtues të lartë të kompanisë ruse Kizlyar Electromechanical Plant (KEMZ), e cila prodhon pajisje ushtarake, humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën, pasi helikopteri Ka-226 në të cilin ndodheshin u rrëzua të premten e kaluar në Dagestan, në jug të Rusisë.
Helikopteri po kryente itinerarin nga Kizlyar drejt Izberbash dhe u rrëzua pranë një fshati në bregdetin e Detit Kaspik. Ai përplasi një shtëpi të pabanuar, e cila u shkatërrua plotësisht nga zjarri.
Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë pilotin duke u përpjekur të ulë helikopterin në plazh. Duket se bishti i helikopterit preku tokën dhe u shkëput. Edhe pse piloti u mundua të rimerrte kontrollin dhe të ngrihej sërish, helikopteri filloi të rrotullohej pa kontroll dhe u rrëzua mbi shtëpinë pranë fshatit Achi-Su.
Të plagosurit u dërguan në spital me djegie, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Sipas burimeve, të dhënat paraprake ia atribuojnë aksidentin një defekti teknik. Ndërkohë, autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal për shkelje të rregullave të sigurisë ajrore.
Kompania Kizlyar Electromechanical Plant (KEMZ) ka selinë në Dagestan dhe specializohet në prodhimin e pajisjeve për avionë dhe materiale ushtarake. Ajo ndodhet nën sanksione amerikane, pasi konsiderohet një nyje kyçe e industrisë mbrojtëse ruse.
