Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e së enjtes në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë daljes së tunelit të Skërficës. Një automjet tip Mercedes-Benz, me targë AB848UI, drejtuar nga Denis Metaj, 37 vjeç, banues në Vlorë, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me murin mbrojtës anësor.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar lëndime për dy personat në automjet. Denis Metaj ka pësuar plagë në fytyrë nga xhami i thyer, ndërsa pasagjeri, Hati Rakipaj, 21 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë, ka pësuar një frakturë në këmbë.
Të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku kanë marrë ndihmën e parë. Burime spitalore raportojnë se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të transportohen drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për vijimin e trajtimit.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Testi për alkool ndaj drejtuesit të mjetit ka rezultuar negativ (0.00 mg/L).