Aksident tragjik në Itali: Autobus shkollor përplaset me makinë, 22 nxënës të plagosur
Një aksident automobilistik me pasoja të rënda ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Arignano, afër Torinos, ku një autobus shkollor është përplasur me një automjet, duke i marrë jetën drejtuesit të këtij të fundit.
Raportohet se nga 50 nxënës të cilët ndodheshin në autobus në momentin e ngjarjes, 22 kanë pësuar lëndime të lehta, kryesisht mavijosje dhe dëmtime të vogla, pa rrezik për jetën.
Përplasja ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Borgo Cremera dhe Borgo Nuovo. Viktima, një 33-vjeçar me kombësi rumune, banor i Mombello Torinese, po kthehej në shtëpi pas punës. Ai udhëtonte me makinë drejt Castelnuovo don Bosco, ndërsa autobusi shkollor lëvizte në drejtim të kundërt, drejt Chieri-t.
Shoferi i autobusit ka dëshmuar përpara policisë se ka parë makinën t’i afrohej me shpejtësi të madhe. Ai ka tentuar të shmangë përplasjen duke drejtuar plotësisht në të djathtë, por pa sukses.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë dy autoambulanca të shërbimit 118 dhe një helikopter shpëtimi nga Torino. Përpjekjet e personelit mjekësor për të ringjallur drejtuesin e makinës rezultuan të pasuksesshme.
