Aksident në Athinë/ Makina përplaset me pemën, brenda edhe një i mitur shqiptar
Një 15-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rëndë. Ky është bilanci tragjik i një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Dhimokratias”, në periferi të Athinës.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej adoleshentëve mori nga çanta çelësat e automjetit të së ëmës. Më pas, ai së bashku me dy shokët e tij, mes tyre edhe një shqiptar, nisën të ecin me shpejtësi nëpër rrugët e zonës.
Në rrethana që ende nuk dihen, automjeti që po lëvizte me shpejtësi tej normave, doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Si pasojë, njëri prej pasagjerëve 15-vjeçar vdiq në vend. Drejtuesi i automjetit dhe adoleshenti tjetër u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes. Policia njoftoi se ka ndaluar në spital drejtuesin e automjetit, si dhe prindërit e tij. Trupi i viktimës u dërgua në morg.
