Aksident hekurudhor në Mynih: Tren mallrash bie nga ura, një person në gjendje kritike
Një person ka mbetur rëndë i plagosur pasi një tren mallrash doli nga shinat dhe ra nga një urë në Mynih, gjatë natës së të premtes duke u gdhirë e shtuna. Incidenti ndodhi gjatë manovrave hekurudhore.
Sipas policisë gjermane, dy trena mallrash po kryenin manovra rreth orës 01:40 në lagjen Milbertshofen, në një urë mbi rrugën Schleißheimer. Gjatë këtyre manovrave, ndodhi një përplasje mes tyre, e cila çoi në daljen nga shinat të njërit prej trenave.
Si pasojë e goditjes, njëri nga trenat u shty jashtë binarëve dhe ra nga ura, duke shkaktuar një situatë të konsideruar “të rëndë dhe të tmerrshme” nga ekipet e emergjencës.
Autoritetet konfirmuan se një person është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike. Ende nuk janë dhënë detaje rreth identitetit të personit të lënduar apo rolit të tij në incident.
Policia theksoi se, deri tani, nuk ka të dhëna që treni të ketë transportuar materiale të rrezikshme dhe se nuk ekziston rrezik për popullatën përreth. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të përplasjes.
Sipas Deutsche Bahn, ngjarja ka ndodhur në një segment hekurudhor të dedikuar vetëm për trenat e mallrave, prandaj nuk priten ndikime në trafikun e pasagjerëve. Operacionet për heqjen e vagonëve pritet të zgjasin dhe mund të sjellin mbyllje të pjesshme të zonës deri në fundjavë.
