Aksidente rrugore janar 2026: Ulje me 23.2%, problematikë grupmosha 25-34

Aksidentet në janar shënuan ulje me 23.2%, grupmosha 25-34 vjeç më problematike

Në muajin e parë të vitit janë regjistruar 96 aksidente rrugore, ku 149 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i aksidenteve rrugore në janar 2026 është ulur me 23.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e përpunuara tregojnë se shkaku kryesor i aksidenteve, në shumicën e rasteve, vijon të jetë sjellja e drejtuesve të mjeteve. Drejtuesit e mjeteve më problematikë rezultojnë të jenë ata të grupmoshës 25-34 vjeç.

85.4% e aksidenteve rrugore gjatë muajit janar 2026 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grup-mosha 25-34 vjeç përbën 31.3% të numrit të përgjithshëm të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.

Sa i përket ditëve të javës, numri më i lartë i aksidenteve rrugore është shënuar të premten (21.9%), ndërsa numri më i ulët është regjistruar të martën (6.3%). Numri më i lartë i aksidenteve është regjistruar gjatë harkut kohor 19:00–24:00, duke përbërë 24.0% të numrit total të aksidenteve rrugore, sipas publikimit të INSTAT.

Scroll to Top