Aksionerët e dy bankave të reja në Shqipëri: Ziraat & JET Bank

Cilët janë aksionerët e dy bankave të reja në vend?

Sistemi bankar shqiptar së shpejti do të shtojë dy banka të reja: Ziraat Bank dhe banka digjitale JET Bank, duke e çuar numrin total të bankave në vend në 13. Por cilët janë aksionerët e këtyre institucioneve të reja?

Ziraat Bank

Në muajin gusht, Banka e Shqipërisë miratoi paraprakisht licencimin në Shqipëri të degës së Ziraat Bank, bankës më të madhe në Turqi. Kjo do të bëjë që Ziraat të jetë banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), e cila zotërohet nga grupi turk i biznesit Çalik. Megjithatë, ndryshe nga Çalik, Ziraat është një investitor institucional, i specializuar në sektorin bankar.

Ziraat Bank (e njohur në turqisht si Banka Bujqësore) është një bankë me kapital shtetëror turk. 100% e aksioneve të saj zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, një fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë. Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të shihet edhe si një reflektim i interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ziraat Bank ka origjinën e saj që në shekullin e 19-të, gjatë Perandorisë Osmane. Ajo u themelua në vitin 1863 fillimisht si një fond kooperativ për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, duke mbajtur emrin aktual.

Aktualisht, Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, duke zotëruar rreth 16.5% të tregut, me asete totale rreth 133 miliardë USD në fund të vitit 2024. Në nivel grupi, duke përfshirë bankat dhe kompanitë e tjera brenda dhe jashtë Turqisë, Ziraat raporton asete totale rreth 147 miliardë USD. Përveç Turqisë, Ziraat zotëron banka edhe në Gjermani, Rusi, Kazakistan dhe vende të Kaukazit e Azisë Qendrore. Gjithashtu, Ziraat Bank është e pranishme në Ballkanin Perëndimor me banka operative në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovë. Ajo ka degë (që nuk veprojnë si banka të veçanta) edhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrein, dhe zyra përfaqësuese në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt.

Sipas informacioneve nga tregu, Banka Ziraat është në faza të avancuara të përgatitjes për hapjen e ambienteve, rekrutimin e personelit dhe ngritjen e sistemeve. Duke qenë një bankë me peshë të konsiderueshme në Turqi dhe me prezencë rajonale e ndërkombëtare, ajo pritet të jetë një konkurrente e fortë, sidomos për bankat rajonale si RZB apo OTP, duke ofruar shërbime në tregjet ku ka prani të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, ajo do të konkurrojë edhe me bankën e vetme turke aktive deri tani në Shqipëri, BKT, për klientelën e biznesit turk të vendosur në Shqipëri.

JET Bank

Në fillim të muajit, Banka e Shqipërisë miratoi paraprakisht licencimin e JET Bank për ushtrimin e veprimtarisë bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë. Ndryshe nga shumica e bankave të licencuara apo blera në 20 vitet e fundit, aksionar kontrollues në këtë bankë të re, të paktën deri në këtë moment, nuk është një shoqëri tregtare, por një individ.

Sipas Bankës së Shqipërisë dhe ekstraktit zyrtar të shoqërisë, në momentin e aplikimit për licencë, kompania Jet Albania (JET Bank) zotërohej nga shtetasi me pasaportë britanike, Idan Avishai. Avishai, i prezantuar ligjërisht si shtetas britanik, ka lindur në Hadera të Izraelit më 8 janar 1980. Kapitali fillestar i regjistruar i kompanisë është 3.5 milionë lekë.

Idan Avishai ka mbajtur deri tani një profil të ulët publik, dhe informacioni rreth tij është i pakët. Sipas profilit të tij në rrjetet profesionale, përvoja e tij lidhet kryesisht me aktivitetin e platformave të tregtimit online ose, siç njihen në zhargonin financiar, “platforma forex”. Në një nga platformat profesionale, Idan Avishai, i prezantuar si pjesë e Leader Capital-Online CFD, përshkruan veten si një “profesionist inovativ dhe me përvojë në marketing, me një eksperiencë të fortë në sektorët e tregtimit online, duke përfshirë Kontratat për Diferencë (CFD) dhe këmbimin valutor (forex)”. Ai thekson angazhimin e tij për të avancuar peizazhin e tregtimit dhe kërkimin e vazhdueshëm për sipërmarrje të reja online.

Në profilin e tij përmendet se më parë ka mbajtur rolin e Drejtorit të Marketingut në Interlogic, ku ka luajtur një rol kyç në udhëheqjen e strategjive të marketingut. Me një fokus në marketingun dixhital dhe pasion për financat, Avishai ka lundruar me sukses në tregjet e tregtimit online. Ekspertiza e tij qëndron në zhvillimin e fushatave gjithëpërfshirëse të marketingut, të dizajnuara për të angazhuar tregtarët dhe investitorët, duke nxitur besnikërinë ndaj markës. Aftësitë e tij për të analizuar trendet e tregut dhe sjelljen e konsumatorit kanë mundësuar strategji me ndikim dhe të bazuara në të dhëna. Me vite përvojë, ai vazhdon të eksplorojë zgjidhje inovative marketingu për tregtimin CFD dhe forex, duke kërkuar gjithmonë të rrisë angazhimin e përdoruesve dhe të përmirësojë përvojat e tregtimit.

Një nga platformat e lidhura me të, e cila vepronte fillimisht me emrin FXLider dhe më pas Fortrade, u raportua publikisht në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për ushtrimin e aktivitetit financiar të palicencuar në Shqipëri.

Në regjistrin e bizneseve të Britanisë së Madhe, shtetasi Idan Avishai, lindur në janar 1980, rezulton gjithashtu aksionar dhe drejtor në S.O.N MANAGEMENT LTD, një kompani e regjistruar në vitin 2017, me objekt kryesor aktivitetin e menaxhimit dhe konsulencës jashtë fushës së menaxhimit financiar.

Informacioni i pakët në dispozicion rreth aksionarëve ngre natyrshëm pyetje në lidhje me përvojën, reputacionin dhe kapacitetet financiare për të përballuar si aksionar i vetëm ngritjen e një banke tregtare. Megjithatë, marrja e një licence paraprake nga Banka e Shqipërisë tregon për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga ana e aplikuesit.

Revista “Monitor” iu drejtua JET Bank me një kërkesë për informacion të mëtejshëm rreth aksionarit të saj, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit.

Licencimi i JET Bank përfaqëson një ndryshim nga politikat e deritanishme të licencimit të ndjekura nga Banka e Shqipërisë, e cila prej vitesh ka përjashtuar mundësinë e dhënies së licencave apo miratimit të blerjeve të bankave nga aksionarë pa përvojë në sektorin financiar, në përputhje edhe me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

JET Bank ishte subjekti i dytë që mori miratim paraprak nga Banka e Shqipërisë këtë vit për të hyrë në tregun bankar, pas Ziraat Bank. Këto licencime po krijojnë një tendencë të re për zgjerimin e numrit të aktorëve në tregun bankar shqiptar. Pas vitit 2015, tregu bankar shqiptar hyri në një cikël përqendrimi, duke ulur numrin e bankave tregtare nga 16 në 11. Ky zvogëlim erdhi kryesisht përmes blerjeve dhe përthithjeve nga bankat konkurrente, me përjashtim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë, e cila doli nga tregu nëpërmjet likuidimit. Etapa e fundit e këtij procesi u zhvillua në vitin 2022, kur Alpha Bank Albania u ble dhe u përthith nga Banka OTP Albania. Megjithatë, rritja e shpejtë e sektorit në vitet e fundit dhe përmirësimi i treguesve të përfitueshmërisë duket se e kanë bërë atë tërheqës edhe për hyrjen e aktorëve të rinj. Me miratimet paraprake për JET Bank dhe Ziraat, pritet që vitin e ardhshëm numri i bankave tregtare në vend të rritet në 13.

Scroll to Top