Zbardhen detaje nga aksioni në Shkodër, dëshmia e shoferit nxjerr informacione të reja.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i forcave të policisë, i cili u zhvillua 2 ditë më parë në lagjen Kiras të Shkodrës, me synim kapjen e shtetasit Bajram Bregu, i njohur gjithashtu si Barush Bregu. Mësohet se Bregu, gjatë ndjekjes nga policia, ka qëlluar me armë zjarri dhe më pas është arratisur.
Burimet informojnë se Bregu po udhëtonte në një automjet që drejtohej nga Ervis Baba, 43 vjeç, dhe në makinë ndodhej edhe një 17-vjeçar. Patrulla e forcave speciale “Shqiponja” u ka bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe është larguar me shpejtësi.
Pasi janë larguar në një rrugicë, Bregu ka zbritur nga automjeti dhe teksa po largohej me vrap, ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka rrethuar zonën, por i dyshuari ka arritur të arratiset duke shfrytëzuar rrugicat dhe oborret e lagjes, duke i shpëtuar kështu arrestimit.
Në kuadër të operacionit, është arrestuar drejtuesi i mjetit, Ervis Baba. Gjatë marrjes në pyetje, Baba ka mohuar të ketë pasur njohje me Bajram Bregun. Ai ka deklaruar para hetuesve se e kishte marrë rastësisht në makinë një person që i kishte bërë shenjë në rrugë.
“Një person më nxori dorën në rrugë teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora, por unë nuk e njoh se kush ishte. Nuk kam asnjë lidhje me të dhe nuk e di nëse ishte Bajram Bregu apo dikush tjetër,” mësohet të ketë thënë 43-vjeçari përpara policisë.
