Biseda në celularin e Vis Berberit/ Akuza e Ballukut: “Shkelje e barazisë në tendera”
Në muajin shkurt 2024, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen një kontroll në banesën e Drejtorit të ARRSH-së, në atë kohë Ervis Berberi. Gjatë kontrollit u sekuestruan 4 aparate telefonike, pajisje të ndryshme kompjuterike dhe një sërë dokumentesh. Ky veprim hetimor, që përfshiu depërtimin në komunikimet private të individëve, erdhi pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte ndjerë pamjaftueshmërinë e formatit standard të përgjimit telefonik. Si pasojë, gjatë 3 viteve të drejtimit të SPAK nga Altin Dumani, janë sekuestruar më shumë telefona se në çdo periudhë tjetër.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se disa ditë pas sekuestrimit të 4 telefonave, po në muajin shkurt 2024, prokurori i çështjes Dritan Prençi, lëshoi urdhrin për ekspertimin kompjuterik të këtyre aparateve. Ky proces solli rikuperimin e një pjese të madhe të bisedave të zhvilluara nga Ervis Berberi nëpërmjet disa platformave elektronike.
Dy muaj pas kryerjes së ekspertimeve të 4 telefonave të Ervis Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, prokurori Prençi, më 23 prill 2024, vendosi të hapë një dosje të dytë, të veçuar nga ajo e Berberit, me numër 196. Fokusi i këtij hetimi u drejtua nga kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.
Mirëpo, ekspertimi i 4 telefonave të Ervis Berberi dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, ka sjellë tashmë krijimin e një “puse” hetimore që ka tërhequr edhe numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku, dhe vetë kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci.
Mësohet se kryebashkiaku Beci, prej muajit tetor 2024 e në vijim, rezulton të jetë marrë i pandehur për “Shkelje të barazisë në tendera”. Ky akuzë lidhet me një procedurë prokurimi me objekt “Zhvillim strategjik i sektorit Energjetik (Projekt kërkimor)”, me fond limit prej 695 milionë lekësh të vjetra. Bashkë me Benet Beci, për këtë çështje SPAK ka marrë të pandehur edhe Adela Ruko, si dhe zyrtarë të tjerë si Jonid Kazani, Drejtor i Çështjeve Rregullatore në KESH, dhe zyrtarët Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Hetimet për këtë rast vijojnë dhe brenda muajit prill 2026, SPAK pritet të dërgojë në gjyq të pandehurit e mësipërm.
Nga ana tjetër, hapja dhe këqyrja e komunikimeve në platformat elektronike ka sjellë ngritjen e akuzës për shumë zyrtarë të tjerë të ARRSH-së, ERE-s dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Së fundi, në rrjetën e këtyre bisedave, që më pas kanë prodhuar akuza penale, ka rënë edhe Belinda Balluku, me funksion zv/kryeministre e Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Mësohet se Belinda Balluku është përfshirë në hetim për shkak të komunikimeve që ka zhvilluar me vartësin e saj, Ervis Berberi, gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Për momentin, nuk dihet me saktësi përmbajtja e kësaj bisede mes dy zyrtarëve të lartë dhe roli ndikues që ka pasur Belinda Balluku për paracaktimin e subjekteve fituese në prokurimet publike të zhvilluara nga ARRSH.
Ajo që dihet tashmë është se këtë javë Belinda Balluku duhet të paraqitet në ambientet e SPAK për t’u njohur zyrtarisht me akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”. SPAK, duke u bazuar në përmbajtjen e bisedave të zhvilluara mes Berberit, bashkëshortes së tij Adela Ruko dhe ministres Belinda Balluku, ka regjistruar një dosje të re.
Ndërkohë, në dobi të këtij hetimi, në muajin prill 2025, prokurori Dritan Prençi ka kërkuar nga ARRSH tërheqjen e dokumenteve që lidhen me praktikën e prokurimit për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, në seksionin rrugor “Orikum-Himarë”, pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë). Ky tender ishte hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në 1 dhjetor 2021, ku më pas, në mars 2022, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, shpalli fitues të kontratës me vlerë 196 milionë lekë, ose gati 2 milionë euro, bashkimin e kompanive “Stucky L.T.D” me pronar të huaj dhe “Gjeokonsult & CO”, në pronësi të Xhevahir Mustafaj.
Këto kompani garonin me bashkimin e kompanive “Hill International N.V”, në pronësi të një shtetasi holandez por me administrator grekun Ioannis Kirkinezis, dhe “Net-Group”, në pronësi të Valter Begaj, një mik i ngushtë i Ervis Berberit. Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult& CO” u skualifikuan, pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender (pasi “Stucky” nuk ishte e regjistruar në QKB). Kjo u ka lënë rrugën e lirë “Hill Internacional N.V” dhe “Net-Group”, të cilat në mars 2022 u shpallën fituese me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.
Kohëzgjatja e kontratës ishte planifikuar të ishte 34 muaj, sipas kontratës së zbatimit të punimeve në ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Prokurorët e posaçëm kanë ngritur dyshime të forta se tenderi mund të jetë paracaktuar dhe kompanitë e tjera janë skualifikuar qëllimisht, për shkak të lidhjes mes Berberit, Ervis Lamit, mikut të tyre Valter Begaj dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Këto dyshime janë përforcuar dhe kanë krijuar bindjen për paracaktim të fituesit, kur SPAK ka analizuar përmbajtjen e komunikimeve telefonike, ku rezulton e përfshirë edhe Belinda Balluku.
Ndërkohë, mësohet se prej 4 dhjetorit 2024, të gjitha aksionet që biznesmeni Valter Begaj dispononte tek kompania “Net-Group”, ja ka dhuruar përmes një kontrate noteriale bashkëshortes së tij, Loreta Vallja.
Pritet që këtë javë, veç Belinda Ballukut, të njihen me akuzat penale edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët kanë shërbyer si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
/ Nga Eltin Qyno
