Mër. Tet 17th, 2018

Akuzat e PD për kriminalitetin, Xhafaj i përgjigjet Bashës me statistika

TIRANË, 9 tetor. – Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me kriminalitetin në vend.

Përmes një reagimi Xhafaj thekson se rezultatet dhe puna e qeverisë në luftë kundër krimit janë të vërteta, duke publikuar edhe statistika të vrasjeve, plagosjeve dhe aksidenteve për periudhën janar-shtator.

Ministri Xhafaj shkrua: “Basha, tha sot: “Ju parashtroj… një çështje kapitale, emergjence kombëtare, siç është gjendja e rendit, e shpartallimit të plotë të institucioneve të zbatimit të ligjit!” Një E PAVËRTETË e madhe, dalë nga goja e ish-ministrit të Brendshëm më të paaftë në vite.

Të dhënat e faktet mbi punën tonë të palodhur e pa kompromis me botën e krimit dhe rezultatet konkrete janë E VËRTETA. Krahaso çdo shifër e të dhënë të kohës së LB si ministër i Brendshëm, me ato të këtyre 2 viteve të fundit. Shihni dhe gjykoni. Imazhe sa për 1000 fjalë!” – përfundon Xhafaj.

Nga statistikat e publikuara nga ministri i Brendshëm, Xhafaj, rezulton se për vitin 2018 nga muaji janar-shtator ka patur 40 vrasje, 45 më pak krahasuar me vitin 2010.

Plagosje të rënda për këtë periudhë kohore ka patur 103, 36 më pak se viti 2010 si dhe 152 persona të cilët kanë humbur jetën në aksidente rrugore, 102 vetë më pak se viti 2010. /e.caushi/

Kategori