Raporti “Sekret” i Rrëzuar nga KED Po Përdoret për të Sulmuar Gjyqtarin Asim Vokshi
Emërimi i gjyqtarit Asim Vokshi në Gjykatën e Lartë, si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, po shoqërohet me një betejë të ashpër akuzash publike në media. Në qendër të këtij debati është një raportim i televizionit kombëtar Top Channel, datë 9 nëntor 2025, i cili pretendon se kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Sokol Sadushi, i ka “fshehur” Gjykatës së Lartë një informacion komprometues, sipas të cilit gjyqtari Vokshi ka qenë “informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës”.
Sipas Top Channel, ky informacion, i ardhur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), përbënte një kriter ndalues për përzgjedhjen e Vokshit si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Televizioni pretendon se KED, i drejtuar nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk e kreu detyrën për verifikimin e raportit të AKSIK-së. “Të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan,” raportoi Top Channel.
Gjyqtari Asim Vokshi i cilësoi akuzat e Top Channel si të pavërteta dhe si një përpjekje për të penguar emërimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. “Fakti që bëhet ‘scoop’ tani, flet vetë për qëllimet dashakeqe dhe të paligjshme me të cilat më bie rasti të përballem, vetëm për faktin se ndokujt nuk i pëlqen profili im për në Gjykatën Kushtetuese,” tha ai.
Situata bëhet edhe më e çuditshme pasi vetë dokumentet e publikuara nga televizioni – një faksimile e vendimmarrjes së KED – bien në kontradiktë me raportimin e tij. Këto dokumente tregojnë se Këshilli jo vetëm që e ka verifikuar dokumentin e AKSIK-së, por ka kryer edhe një hetim administrativ dhe e ka rrëzuar atë si të pabazuar.
KED reagoi gjithashtu, duke e cilësuar të pavërtetë raportimin e Top Channel. “Ky publikim mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale,” thuhet në njoftimin për mediat.
I kontaktuar nga BIRN, drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, tha se televizioni i qëndronte vërtetësisë së raportimit të tij.
Përplasja për Zgjedhjen në Kushtetuese
Kur krijohet një vend vakant, Gjykata e Lartë shpall thirrjen për aplikime dhe KED vlerëson kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore dhe kriteret profesionale, përfshirë përvojën mbi 15-vjeçare në fushën e drejtësisë, integritetin moral dhe etik, si dhe mungesën e lidhjeve politike apo dënimeve penale. Nëse Gjykata e Lartë nuk arrin shumicën 3/5 për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit 30-ditor, kandidati i renditur i pari në listën e KED shpallet automatikisht i zgjedhur.
Gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues i pozicionit vakant në Gjykatë Kushtetuese më 30 shtator. Nga votimi i fshehtë në Gjykatën e Lartë, kandidatja Naureda Llagami kishte siguruar 8 vota, Vokshi 6 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Me arsyetimin se asnjëri nuk arriti të sigurojë 3/5 e votave, u shpall fitues Vokshi, i cili në pikëzimin e KED kishte siguruar vendin e parë.
Pikëzimi nga KED, një organ kolegjial me 9 anëtarë i përbërë nga gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve, përfshi 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, është përgjegjës për verifikimin e kushteve ligjore, integritetit dhe vlerësimin profesional të kandidatëve. Ky proces është një ndër ndryshimet thelbësore të reformës në drejtësi, duke bërë të pamundur që organet emëruese të bllokojnë procesin.
Në rastin e Vokshit, konkurrentja e tij Llagami ngriti pretendime për votën e pavlefshme, duke u ankuar fillimisht në Gjykatën Administrative dhe më pas edhe në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 11 nëntor ankesën e Llagamit, ndërsa Gjykata Administrative shpalli moskompetencë.
Lidhur me votën e pavlefshme, Gjykata e Lartë këmbënguli në vendimmarrje të drejtë, duke sqaruar se vota kishte shenjë të dytë që cënonte fshehtësinë e saj. “Ky parim cilësohet si një garanci substanciale që siguron që asnjë gjyqtar të mos ndjehet i ekspozuar, i identifikueshëm apo i ndikuar nga mënyra si voton”, arsyetoi Gjykata e Lartë.
Raporti Kontradiktor i Top Channel
Burimi i raportit që po përdoret në këtë përplasje është Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), një institucion në varësi të Kryeministrit. AKSIK, i njohur më parë si DSIK, është një nga institucionet kryesore që u përdor në procesin e vetingut për kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në publikimin fillestar të datës 9 nëntor, Top Channel këmbënguli se kishte dokumente që provonin se KED kishte lejuar pjesëmarrjen e Vokshit në garë, edhe pse, sipas tyre, para vendimmarrjes kishte informacione për kushte ndaluese. “Por me gjithë informacionin që duhej të ishte lexuar më pas nga KED si kriter ndalues, të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan gjatë vlerësimit, dhe gjyqtari Asim Vokshi u listua më 17 qershor 2025 për të vijuar garën”, thuhej në raportim.
Mirëpo, një faksimile e publikuar nga vetë televizioni të hënën, më 10 nëntor, në fakt referon të kundërtën. Në faksimile bëhet e qartë se informacioni kishte ardhur pas vendimit të KED për të lejuar garimin e Vokshit, dhe po ashtu aty thuhet se KED dhe anëtarët e saj kishin kryer hetimet dhe verifikimet e kërkuara.
“Me qëllim verifikimin e informacioneve të mësipërme, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kreu veprimtarinë hetimore administrative të nevojshme për rastin konkret… duke përfshirë edhe takime të drejtpërdrejta të anëtarëve të caktuar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese,” thuhet në pasazhin e faksimiles.
KED shprehet po aty se pas këtij procesi u vendos që vendimmarrja për lejimin e garimit të Vokshit në Kushtetuese nuk cënohej. “Nuk ndodhemi përpara kushteve të rishikimit të Vendimit nr. 14, datë 17.06.2025,” thuhet në dokumentin e referuar nga media.
I pyetur nga BIRN, Vokshi tha se e shihte veten përballë një fushate “të orkestruar shpifjesh, që ka vetëm një qëllim – të njollosë procesin dhe ta delegjitimojë atë”. Ai vuri në dukje se figura e tij ishte verifikuar dy herë të tjera në pesë vitet e fundit, gjatë procesit të vetingut dhe kur garoi për në Gjykatën e Lartë.
KED reagoi të hënën duke e cilësuar raportimin të pavërtetë dhe në shkelje të legjislacionit. “Publikimi i djeshëm përbën një akt të papërgjegjshëm, që cenon rëndë integritetin e magjistratëve,” tha KED. “Përhapja e të dhënave të klasifikuara ose interpretimi i shtrembëruar i tyre përbën shkelje të ligjit dhe dëmton besimin e publikut te institucionet kushtetuese,” përfundoi Këshilli.