Akuzat për korrupsion shkaktojnë përplasje në Tiranë

Reuters: Akuzat për korrupsion përshkallëzojnë përplasjet mes policisë dhe protestuesve

Policia në Tiranë përdori gaz lotsjellës dhe autoblinda me ujë të premten gjatë përplasjeve me protestues të opozitës. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë shqiptare pas akuzave për korrupsion ndaj zv/kryeministres.

Demonstruesit hodhën shishe me benzinë dhe fishekzjarre drejt zyrës së Kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e posaçme e prokurorisë ngriti akuza ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar për ndërhyrje në tendera publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizimin e disa kompanive. Balluku i ka mohuar këto akuza.

Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike të opozitës brohorisnin “Rama ik” dhe “Rama në burg”, duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe të partisë. Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi: “Ditët e Edi Ramës janë të numëruara. Le ta dinë se edhe po të fshihen pas diellit, ne do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me gjithë forcën e ligjit.”

Një gjykatë kundër korrupsionit e ka pezulluar Ballukun nga detyra, ndërsa Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit, ka kërkuar që Parlamenti t’i heqë imunitetin për të mundësuar arrestimin e saj.

Partia Socialiste e Edi Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi një mandat të katërt radhazi, ka një shumicë të rehatshme parlamentare. Mbetet e paqartë nëse dhe kur Kuvendi do t’i heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer edhe si ministre e Infrastrukturës dhe konsiderohet një aleate e ngushtë e kryeministrit.

Rama është ankuar për tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit, veçanërisht në lidhje me paraburgimet.

Shqipëria synon t’i bashkohet Bashkimit Europian deri në vitin 2030, por blloku ka theksuar se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Scroll to Top