Akuzohen për falsifikim dokumenti zyrtarë në zgjedhjet e 11 majit

Funksionari i PS dhe dy zyrtarë publikë akuzohen për falsifikim dokumenti si vëzhgues në zgjedhjet e 11 majit.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të dielën, më 23 nëntor, përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale. Në ngarkim akuzohen një funksionar i Partisë Socialiste, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe një punonjëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ata akuzohen se siguruan dhe përdorën një dokument të falsifikuar për të vepruar si vëzhgues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Hetimet kanë konstatuar se shtetasi Arlind Papa, sekretar organizativ i Partisë Socialiste, ka marrë pjesë si vëzhgues në qendrën e votimit në shkollën “9-Vjeçare Vorë” me një dokument (badge) të KQZ-së, i cili nga hetimet ka rezultuar i falsifikuar.

“Ky shtetas sqaroi se është Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste dhe përveç kësaj qendre, kishte detyrë të vëzhgonte edhe 43 qendra të tjera votimi në Bashkinë Vorë,” thuhet në njoftim. Ai shtoi se dokumenti si vëzhgues iu dha nga shtetasi G.D., me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë, një ditë para zgjedhjeve.

“Shtetasi G.D. pretendoi se e tërhoqi dokumentin (badge) si vëzhgues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë që rezulton se nuk ka firmosur ndonjë shkresë për këtë veprim,” sqarohet në njoftim.

Nga hetimet është zbuluar se i pandehuri Arlind Papa nuk ishte i regjistruar si vëzhgues në KQZ, si dhe nuk kishte një dokument zyrtar të lëshuar nga ky institucion. Gjithashtu, ka rezultuar se Papa e ka përdorur me vetëdije dokumentin e falsifikuar, të cilin e ka siguruar në bashkëpunim me dy të pandehurit e tjerë. Njëra prej tyre, shtetasja Migena Xibinaku, ka qenë sekretare në zyrën e protokollit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Të pandehurit Gëzim Demiraj dhe Migena Xibinaku, të cilët ndihmuan për të siguruar dokumentin e falsifikuar, akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim. Ndërsa Arlind Papa akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Scroll to Top