Alarmi i rremë për bombë në shkollë, arrestohet protestuesi

Alarmi i rremë për bombë në shkollën “Emin Duraku”, Koçiu: Një çmenduri kriminale

Një alarm i rremë për vendosjen e një bombe në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ka shkaktuar shqetësim në institucionin arsimor.

Telefonata, e cila u bë rreth orës 06:30 të mëngjesit, ngriti menjëherë në këmbë autoritetet. Pas inspektimeve të detajuara nga forcat e sigurisë, rezultoi se njoftimi për bombë ishte i rremë dhe nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese në ambientet e shkollës.

Hetimet, të cilat filluan menjëherë nga strukturat e Antiterrorit, kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës. Mandi Jatagani u vu në pranga ndërsa po protestonte para shkollës, duke kritikuar materialet e përdorura për rindërtimin e saj, të cilat ai i cilësoi si “lehtësisht të djegshme”.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar fuqishëm ndaj këtij incidenti, duke e cilësuar atë si një “çmenduri të mirëfilltë kriminale”. Ajo theksoi se një veprim i tillë, veçanërisht në ditën e parë të mësimit kur shkollat janë plot me fëmijë, nuk mund të konsiderohet thjesht si një shaka e hidhur apo një test për reflekset e Policisë së Shtetit.

Koçiu shtoi se ky lloj veprimi, që shpesh tolerohet nën pretekstin e një “lirie” pa kufij, nuk ka asnjë lidhje me lirinë e vërtetë. Sipas saj, ata që synojnë të helmojnë protestën, duke ngatërruar lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të zbrazëta dhe duke kthyer hapësirën publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, duhet të ndërgjegjësohen shpejt se Shqipëria nuk është një arenë ku mund të luajnë pa pasoja dramat e tyre të sëmura. Ajo bëri thirrje që refuzimi i këtyre sjelljeve anormale të jetë qëndrim i gjithë shoqërisë.

Scroll to Top