Albulena Haxhiu Ushtruese Detyre Presidenti Kosove

Rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut, ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës

Aktiviste politike, deputete, ministre dhe kryetare e Kuvendit – ky është rrugëtimi 16-vjeçar i Albulena Haxhiut, e cila prej datës 4 prill është edhe ushtruese e detyrës së presidentit, për shkak të skadimit të mandatit të presidentes së deritanishme, Vjosa Osmani.

Haxhiu, 38-vjeçare, do të jetë në krye të shtetit derisa deputetët e legjislaturës së 10-të të kenë shfrytëzuar afatin kushtetues – deri më 28 prill – për të zgjedhur presidentin e ri. Në të kundërt, vendi duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Sipas Kushtetutës, pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

Pasi e pranoi detyrën pasditen e 4 prillit nga presidentja e deritanishme, Haxhiu u shpreh e vetëdijshme për përgjegjësitë kushtetuese që sjell kjo pozitë, megjithëse përkohësisht. “Unë e kuptoj përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese dhe zotohem se do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, deklaroi Haxhiu teksa e mori detyrën.

Albulena Haxhiu i përket partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ajo u zgjodh kryetare e Kuvendit më 11 shkurt, ditën kur u formua edhe Qeveria e re. Ngjitja e saj në këtë pozitë nuk ka qenë proces i lehtë. Ajo u propozua për kryeparlamentare mbi 50 herë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, por nuk i siguroi kurrë votat e nevojshme. Megjithatë, për disa muaj ajo ushtroi pozitën e nënkryetares, deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Si njihet Haxhiu?

Me t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhiu u zgjodh deputete e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës në periudhën 2011-2014. Ajo ka qenë deputete shtatë herë radhazi, ndërsa në katër legjislaturat e fundit është emëruar në pozita të tjera: ministre, nënkryetare e Kuvendit dhe kryekuvendare.

Si deputete, ajo udhëhoqi për dy mandate Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në vitin 2020, Haxhiu u emërua ministre e Drejtësisë dhe u riemërua në të njëjtën pozitë edhe në Qeverinë e radhës të formuar në vitin 2021.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025, ajo ishte gruaja më e votuar – në procesin e parë zgjedhor i fitoi mbi 125 mijë vota, ndërsa në të dytin mbi 174 mijë vota.

Grupi i Grave Deputete gjatë një ngjarjeje të organizuar më 2024 kundër dhunës ndaj grave në politikë.

Nga protestat në rrugë deri te Presidenca

Kur ishte në opozitë, Haxhiu u pa pothuajse gjithmonë në ballë të protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat u arrestua disa herë.

Në vitin 2018, pas një procesi disavjeçar, Haxhiu u dënua me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhjen e gazit lotsjellës dhe pengimin e personit zyrtar. Këto veprime ajo dhe deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje i ndërmorën për të penguar ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo u përfshi në tensione edhe në korrik të vitit 2023, kur ishte ministre e Drejtësisë. Përgjatë një seance të Kuvendit, Haxhiu u përplas fizikisht me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakun, i cili gjuajti me ujë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa po fliste në foltore.

Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, duke sulmuar me sprej piperi Isa Mustafën, i cili në vitin 2015 ishte kryeministër i Kosovës.

Më herët gjatë vitit, Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi një aktakuzë ndaj Haxhiut dhe disa ish-deputetëve të tjerë, të cilët akuzoheshin për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, duke i dhënë fund një procesi të gjatë gjyqësor.

Ushtruesja e detyrës së presidentit është e lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin e të drejtës penale.

Haxhiu është e martuar me ish-anëtarin e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqin, dhe kanë tre fëmijë.

Scroll to Top