SHBA-ja dhe Japonia lavdërojnë “epokën e artë” të aleancës, arrijnë marrëveshje për mineralet e rralla
Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësuan lartë “epokën e artë” të marrëdhënieve mes vendeve gjatë vizitës së udhëheqësit amerikan në Tokio. Dy shtetet nënshkruan një marrëveshje që synon të sigurojë furnizimin e Uashingtonit me minerale të rralla.
Takaichi, e para kryeministre grua në Japoni, lavdëroi Trumpin dhe njoftoi se do ta nominojë atë për Çmimin Nobel për Paqe, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Në këmbim, Trump, i cili u takua për herë të parë me Takaichin gjatë turneut të tij në Azi, u shpreh se Uashingtoni është aleat “në nivelin më të fortë të mundshëm”. “Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht kaq herët në atë që mendoj se do të jetë një nga kryeministret më të mira”, i tha Trump Takaichit në pallatin shtetëror Akasaka.
Takaichi vlerësoi përpjekjet e Trumpit drejt një armëpushimi mes Tajlandës dhe Kamboxhias dhe për “arritjen e tij historike dhe të paprecedentë” të marrëveshjes për Gazën. “Do të doja të realizoj një epokë të re të artë të aleancës Japoni-SHBA, ku si Japonia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të bëhen më të forta dhe më të begata”, deklaroi ajo.
Të dyja palët gjithashtu nënshkruan një marrëveshje që synon “forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe elemente të rralla tokësore”, thuhet në deklaratë.
Pekini këtë muaj njoftoi kufizime të gjera në industrinë e elementeve të rralla, gjë që e shtyu Trumpin të paralajmëronte se si kundërpërgjigje do t’i vendoste tarifë prej 100 për qind importeve nga Kina.
Pas takimit me kryeministren Takaichi, presidenti Trump u takua me familjarët e japonezëve të rrëmbyer nga Koreja e Veriut dekada më parë, ku deklaroi se “SHBA qëndron plotësisht me ta”, teksa ata kërkuan ndihmë për gjetjen e të dashurve të tyre. Pas vite të tëra mohimi, Koreja e Veriut pranoi në vitin 2002 se kishte dërguar agjentë për të rrëmbyer 13 shtetas japonezë, të cilët u përdorën për të trajnuar spiunë për gjuhën dhe zakonet japoneze. Japonia thotë se janë rrëmbyer edhe persona të tjerë.
Trump arriti në Japoni të hënën dhe gjatë turneut në Azi pritet të takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping, takim që mund të ndihmojë në tejkalimin e luftës tregtare mes dy vendeve. Negociatorët nga Uashingtoni dhe Pekini kanë konfirmuar se është arritur një “marrëveshje kornizë” mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sa i përket sigurisë, Japonia gjithnjë e më shumë po merr një qëndrim më të fortë ushtarak, teksa marrëdhëniet me Kinën janë përkeqësuar. Takaichi, e cila javën e kaluar u bë gruaja e parë kryeministre në Japoni, ka thënë se Qeveria e saj do të arrijë synimin që të shpenzojë 2 për qind të PBB-së në mbrojtje – dy vjet më shpejt se parashikimet paraprake. SHBA-ja, që ka rreth 60 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak në Japoni, dëshiron që Tokio të shpenzojë edhe më shumë në mbrojtje, potencialisht të arrijë në 5 për qind, ashtu siç ishin zotuar anëtarët e NATO-s në qershor.
Përveç takimit me Takaichin, Trump do të mbajë edhe një fjalim në aeroplanmbajtësen amerikane, USS George Washington, që është ankoruar në bazën detare amerikane Yokosuka. Gjatë qëndrimit në Japoni, ai do të takohet edhe me udhëheqës të biznesit.
