Alimehmeti: Do të marr pjesë në protestat kundër qeverisë

Alimehmeti: Do të marr pjesë në protestat e Partisë Demokratike

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një interviste për emisionin “Studio24”. Ai theksoi se situata aktuale kërkon një reagim të fortë nga qytetarët dhe opozita.

Sipas Alimehmetit, korrupsioni, kriminaliteti dhe largimi masiv i shqiptarëve nga vendi janë probleme serioze që e bëjnë të patolerueshme vazhdimin e kësaj qeverisjeje. Ai u shpreh se në këto kushte, qytetarët përballen me një zgjedhje të qartë: ose krimi, ose shteti ligjor.

“Rruga e duhur është rotacioni absolut, largimi i kësaj qeverie të mpleksur me krimin, në mënyrë që shqiptarët të vendosin vetë për shtetin e tyre dhe të krijohen kushtet që ata të rikthehen në vend,” deklaroi Alimehmeti.

Ai konfirmoi gjithashtu se do të jetë pjesë e protestave të Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita është në të drejtën e saj të kërkojë pastrimin e qeverisë dhe të shtetit. Sipas tij, qytetarët kanë të drejtën legjitime të zgjedhin një alternativë më të mirë përballë qeverisë aktuale.

“Besoj se faktet që po shohim gjatë këtyre ditëve, grupet e punës që kanë ardhur nga SHBA, dhe afati që ka dhënë Trump prej 90 ditësh për verifikimin e korrupsionit, janë një manovër e madhe e SHBA, gjithëpërfshirëse. Këto do të jenë zhvillimet e vërteta. Ne do të shohim lëvizje aq të mëdha tektonike, presim hetimet nga amerikanët dhe do të shohim si do të veprojnë. Duke parë se sa të shqetësuar janë ata që kanë duart e përlyer, kuptojmë se do të ketë zhvillime aq të mëdha, sa do të kemi një 2026 krejt ndryshe,” tha ai.

Scroll to Top