Alimehmeti i përgjigjet Berishës: Partia është e “doktorit”, e lë nëse përçahemi
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Ilir Alimehmeti ka folur për “Foltorën” e re, e cila ka nisur në bazën e PD me Ervin Salianjin.
Alimehmeti u shpreh se kjo lëvizje nuk synon lidershipin e partisë dhe theksoi disa herë se kryetar i Partisë Demokratike është Sali Berisha. Ai shtoi se forca politike duhet energjizuar dhe votuesit duhet të përfaqësohen më mirë.
Alimehmeti deklaroi se nuk dëshiron përçarje në parti dhe se nuk do të jetë pjesë e kësaj lëvizjeje në rast se ajo sjell përçarje.
“Partia është e doktor Berishës. Ai është kryetar, unë e kam votuar dy herë. Kjo nuk është një lëvizje kundër kryetarit ose për kryesinë, por një përpjekje për bashkim. Brenda PD-së ekzistojnë energji të ndryshme, të cilat përfaqësohen nga njerëz të ndryshëm. Vetëm njëra prej forcave kryesore është e përfaqësuar gjerësisht. Këtu lind nevoja për të përfaqësuar më mirë rrymat brenda PD-së. Ne duam të bashkojmë forcat e PD-së, në një PD sa më të plotë, që të jetë lider i opozitës dhe të luftojë për pushtetin nesër. Nuk është një foltore kundër kryetarit ose për ta zëvendësuar atë” – tha Alimehmeti.
Ai vijoi duke theksuar se:
- “Pranverën e ardhshme do të ketë mundësi për të votuar figurat drejtuese të PD-së. Shumë prej këtyre figurave kanë nevojë për një lloj rifreskimi, për të përfaqësuar më mirë elektoratin. Kanë votuar mbi gjysmë milioni njerëz. Duhet të forcohet PD, përmes figurave të reja, hapjes, rithemelimit. Këto ishin premtimet e bëra dhe këto premtime kanë qëndruar. Nëse u rikthehemi këtyre principeve… Unë hyra në PD në prill të vitit 2022, në ditë të vështira për Berishën. Unë e di shumë mirë ku qëndroj. Nëse kjo shihet si përçarje, unë nuk e mbështes përçarjen, por vetëm bashkimin. Ka nevojë për ndryshim të disa figurave. Këto gjëra diskutohen së pari në strukturat drejtuese, por ka një nevojë, ka një nevojë. Ky nuk është formati i “Foltores” së doktor Berishës. Është një format rienergjizues, njerëzit kërkojnë të përfaqësohen” – tha Alimehmeti.
I pyetur në lidhje me deklaratat e Berishës se kjo nismë shërben për agjenda personale, Alimehmeti u përgjigj:
“A është në favor të Partisë Demokratike? Ne takojmë njerëz në mënyrë të vazhdueshme. Kur takon njerëz, nuk i takon me mandate, por në mënyrë spontane. Nuk njoh asnjë lloj takimi që nuk e forcon Partinë Demokratike. Nëse konceptohet si diçka përçarëse, unë nuk e mbështes përçarjen, sepse unë hyra në një moment që përçarja kishte bërë dëme të mëdha. Ka edhe një nevojë, jo vetëm për numra, por edhe për organizim” – tha mjeku.
