Allegri: Champions League objektiv, por do pranonim duel titulli

Alegri: Objektivi kryesor është Champions League, por do të firmosja për një duel titulli me Interin

Milani, këtë sezon, është kthyer në ndjekësen kryesore të Interit në luftën për titullin kampion. Megjithatë, trajneri Masimiliano Allegri mbetet i prerë në qëndrimin e tij. Gjatë konferencës për shtyp, ai deklaroi se objektivi primar i skuadrës mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve, një turne me rëndësi thelbësore për klubin, si nga ana sportive ashtu edhe financiare.

“Të fitosh është diçka normale, por e vështirë, arrihet vetëm nga një ekip. Ne kemi nisur duke synuar kthimin në Ligën e Kampionëve. Për momentin, jemi mes katër skuadrave të para dhe objektivi mbetet ai. Mund të kishim bërë më mirë në Kupën e Italisë, kjo është e vetmja keqardhje që mund të kemi. Interi dhe Napoli janë skuadra shumë të forta, Juventusi po ringrihet dhe Roma me Gasperinin po kryen një punë shumë të mirë. Ne mbetemi të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë, pasi nuk do të jetë e lehtë”, theksoi fillimisht Allegri.

Më pas, i pyetur nga gazetarët nëse do të pranonte një duel titulli kundër Interit, ai u përgjigj: “Po, në këtë moment Interi është një skuadër shumë e fortë, ata luajnë për titullin prej 5-6 vitesh. Por fillimisht le të përpiqemi të fitojmë në Piza, kjo është ajo që duhet të bëjmë”.

Scroll to Top