Alqi Bllako Dënohet për Aferën e Inceneratorit të Tiranës, Fiton Lirinë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur shpalljen fajtor të ish-deputetit socialist Alqi Bllako për korrupsion pasiv, lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Në bashkim dënimesh, për dy raste të korrupsionit pasiv, atij iu caktua një dënim fillestar prej katër vjetësh burgim. Mirëpo, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, i cili sjell ulje të dënimit me një të tretën, masa përfundimtare e dënimit u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Përveç dënimit me burgim, Alqi Bllakos iu caktua edhe dënimi alternativ, që i heq të drejtën të ushtrojë funksione publike për pesë vjet.
Gjykata ka konstatuar shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, e cila ishte filluar më 9 dhizmor 2023, duke argumentuar se kohëzgjatja e paraburgimit ka tejkaluar masën e dënimit të dhënë. Si rrjedhojë, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Bllakos, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër ligjore.
Ky vendim u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Atalanta Zeqiraj. Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, në seancë kishte kërkuar dënimin e Bllakos me 5 vjet burg, që pas uljes për gjykim të shkurtuar, do të mbetej 3 vjet e 4 muaj. Ndërkohë, Bllako ka kërkuar vazhdimisht pafajësi.
Vendimi për dënimin me 2 vjet e 8 muaj për aferën e inceneratorit të Tiranës është i njëjtë me atë të dhënë më 11 mars nga një tjetër trupë gjykuese. Vendimi i parë ishte prishur nga Apeli i Posaçëm, i cili e ktheu çështjen për rishqyrtim në Shkallën e Parë, por me një trupë tjetër gjykuese.
Hetimet për Bllakon në këtë çështje lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Prokuroria akuzon Alqi Bllakon se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë. Gjithashtu, Bllako akuzohet se i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ofronte konsulencë juridike gjatë fazës së projektimit të koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar, Bllako akuzohet se i ka kërkuar aksionerit të shoqërisë propozuese, njëkohësisht edhe aksioner i shoqërisë koncesionare, të siguronte përfitimin e parregullt, duke e punësuar fiktivisht Bezhanin, përfitim që arrinte në vlerën 7.5 milionë lekë.
Gjatë periudhës kur Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos, duke i siguruar të dhëna nga autoriteti kontraktor.
Alqi Bllako ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit edhe për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Elbasanit më 8 nëntor të vitit të kaluar, ku u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim. Një masë dënimi të ngjashme, 2 vjet e 8 muaj, ai e mori edhe për çështjen e inceneratorit të Fierit në shtator 2023, por edhe në këtë rast Apeli e ktheu për rigjykim.
Masa e sigurimit “Arrest në burg” ndaj Bllakos për inceneratorin e Tiranës është e fundit, dhe siç u konstatua nga gjykata, ajo tashmë është shuar, duke e çuar ish-deputetin socialist drejt lirisë.
Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë “Rama” për shpalljen e emergjencës mjedisore, duke justifikuar kështu dhënien e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit. Më pas, të njëjtat kompani morën koncesione edhe për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë shpallur fajtorë edhe në çështjet e inceneratorit të Fierit dhe atë të Elbasanit. Vendimi për inceneratorin e Elbasanit ka marrë formë të prerë, ndërsa çështja e Fierit u kthye për rigjykim nga Apeli i Posaçëm.