AMA gjobit RTSH për racizëm në emisionin sportiv

Titulli: Racizëm në ekran, AMA gjobit RTSH-në me 100 mijë lekë

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka gjobitur Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) me 100,000 lekë, pasi konstatoi se sjellja e moderatores dhe të ftuarve në emisionin sportiv “Super Gol” ndaj një futbollisti nga Gana ishte diskriminuese dhe raciste.

“Përmbajtja e këtij komunikimi përmban elementë denigrues me ngjyrime diskriminuese bazuar në motive racore,” thuhet në vendimin e AMA-s të datës 17 nëntor. Ky vendim erdhi pas një debati të gjerë publik lidhur me trajtimin e futbollistit të Burrelit, Arnold Kwaku Siaw, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.

Gjatë transmetimit, Siaw u ftua për të dhënë një prononcim. Fillimisht, moderatorja Hygerta Sako deklaroi se nuk mund t’ia shqiptonte emrin. Pasi gazetari lexoi emrin, Sako dhe të ftuarit qeshën. Situata u përshkallëzua kur futbollisti u shfaq në ekran me lëkurë të errët, ndërsa të ftuarit bënë komente që aludoninin në ngjyrën e lëkures së tij.

Këshilli i Ankesave pranë AMA, i cili shqyrtoi rastin, arriti në përfundimin se RTSH, drejtuesja e emisionit, gazetari dhe të ftuarit ishin përfshirë në sjellje denigruese. “Gazetari në terren dhe të ftuarit në studio shfaqën qëndrime dhe reagime me të qeshura lidhur me emrin e futbollistit afrikan dhe praninë e tij në ekran. Drejtuesja e emisionit nuk ndërhyri për të qetësuar situatën apo për të orientuar diskutimin në mënyrë profesionale, por qeshi vetë, duke u bërë pjesë e problemit,” thuhet në arsyetimin e vendimit.

AMA theksoi se Këshilli i Ankesave e vlerësoi sjelljen e pjesëmarrësve në program dhe vuri re shkelje të parimeve të dinjitetit njerëzor dhe mosdiskriminimit, “duke cenuar rëndë etikën e transmetimit publik”.

“RTSH, si operator publik, ka përgjegjësi të shtuar për respektimin e standardeve profesionale dhe etike, sidomos në programe sportive me ndikim të gjerë publik”, vijon qëndrimi i Këshillit, i cili kërkoi marrjen e masave.

Gjashtë anëtarë të AMA, përfshirë kryetaren Armela Krasniqi, zëvendëskryetaren Desada Metaj dhe anëtarët Aurela Bicja, Besian Zogaj, Gjergji Hamiti dhe Joana Allushi, votuan në favor të gjobës, ndalimit të ritransmetimit të emisionit dhe heqjes së tij nga platformat online. Ndërkohë, anëtari Jetmir Halilaj votoi kundër.

Ndërkohë, RTSH dhe drejtuesit e emisionit mohuan sjelljen jo etike, pavarësisht kritikave. Ata pretenduan fillimisht se situata ishte pasojë e një defekti teknik. Vetë Sako, në një intervistë të dhënë për RTSH, këmbënguli se nuk kishte pasur shfaqje racizmi dhe se po sulmohej nga dashakeqës apo për klikime. “E rëndësishme është që s’ka të bëjë as me racizmin, as me talljen,” u shpreh Sako, duke shpjeguar se e qeshura lidhej me pamundësinë e saj për të lexuar emrin e lojtarit për shkak të problemeve me shikimin, dhe jo me vetë lojtarin.

Më herët, ndaj emisionit reagoi edhe klubi i Burrelit, ku aktivizohet futbollisti. “Në një emision televiziv sportiv, u bë një akt i turpshëm bullizmi dhe talljeje ndaj lojtarit tonë Siaw,” shkruhej në reagimin e klubit matjan në faqen zyrtare në Facebook. Ata theksuan se lojtari kishte shënuar gola vendimtarë dhe meritonte lëvdata, jo tallje. Klubi akuzoi RTSH dhe pjesëmarrësit në emision për racizëm. “Ky nuk është humor, por racizëm dhe mungesë respekti ndaj një sportisti që jep maksimumin në fushë”, thuhej në reagimin e klubit.

Arnold Kwaku Siaw luan në Kategorinë e Parë në Shqipëri që prej janarit 2024. Ai u transferua në Burrel në gusht dhe ka luajtur 12 ndeshje zyrtare, duke shënuar 2 gola.

Futbollistët me ngjyrë në Shqipëri përballen shpesh me racizëm në stadiume, kryesisht nga tifozëritë e ekipeve rivale.

Scroll to Top