Ambasada amerikane: Irani mund të sulmojë në Shqipëri
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një njoftim në rrjetet sociale lidhur me sulme të mundshme nga Irani ose grupe të lidhura me Teheranin, të cilat mund të synojnë opozitën iraniane (MEK) të vendosur në Manëz.
Ambasada ngre shqetësimin se objektiva të mundshëm të këtyre sulmeve mund të jenë jo vetëm subjekte të lidhura me SHBA-në, por edhe vende të zakonshme, siç janë vendet turistike, qendrat tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Në vijim të këtij njoftimi, ambasada u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të pranishëm në Shqipëri që të kenë një nivel të shtuar vigjilence.
Mesazhi i plotë i Ambasadës amerikane në Tiranë për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me regjimin e Teheranit thekson:
- “Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
- Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
- Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.”
