Ambasada e SHBA-së Përshëndet Emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Ri në Tiranë
Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas konfirmimit të Gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përmes një postimi, ambasada i ka uruar z. Wendt detyrën e re, duke theksuar se në Tiranë ai do të punojë në mbështetje të vizionit të Presidentit Trump për sigurinë e përbashkët, forcimin e NATO-s dhe krijimin e marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane.
Reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë:
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.”
Kush është Eric Wendt
Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe e të cilit ka qenë në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit. Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA.
Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati.
Ambasada amerikane në Tiranë ka mbetur pa ambasador të plotë prej rreth tre vitesh, që pas largimit të ambasadores Yuri Kim në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, misioni është drejtuar nga të ngarkuar me punë dhe përfaqësues të përkohshëm. Administrata e presidentit Joe Biden më herët kishte propozuar diplomatin David J. Kostelancik për këtë post, por kandidatura e tij nuk arriti të finalizohej në Senat.
