Ambasadori i Polonisë në Francë është shkarkuar nga detyra, ndërkohë që po zhvillohet një hetim ndaj tij për “ndikim të pahijshëm”, i cili lidhet me një institucion që ka lëshuar diploma të falsifikuara.
Jan Emerick Rosyszewski, i cili shërben si ambasador në Paris që nga viti 2022, u arrestua të martën në Aeroportin Frederic Chopin të Varshavës. Ai ka dhënë një deklaratë para hetuesve të Byrosë Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA), sipas raportimeve të medias online Goniec.pl.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka konfirmuar për agjencinë PAP se “Ministri (i Jashtëm) Radoslaw Sikorski ka vendosur ta shkarkojë atë nga detyrat e tij derisa të sqarohen dyshimet” për përfshirjen e tij në këtë çështje.
Ndërkohë, detyrën e kreut të misionit diplomatik të Polonisë në Paris po e merr zëvendësi i Rociszewski-t, Wieslaw Tarka.
Përveç ambasadorit, çështja përfshin edhe zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ish-deputetë të partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS). Të dyshuarit mendohet se kanë marrë pjesë ose kanë përfituar nga lëshimi i diplomave MBA (Master në Administrim Biznesi) nga një universitet privat, i themeluar nga njëri prej tyre. Qëllimi i kësaj veprimtarie dyshohet të ketë qenë emërimi i mbajtësve të këtyre diplomave në pozicione kyçe në shërbimin publik.
Ambasadori mohon çdo përfshirje në këtë mashtrim.
Sipas CV-së së tij zyrtare, ai ka studiuar në Poloni dhe në Institutin e Studimeve Politike të Parisit, si dhe zotëron një diplomë “MBA Ekzekutive”. Ai ka mbajtur më parë pozicione të rëndësishme në sektorin bankar, sigurimeve dhe shërbimeve financiare, duke punuar për kompani si AXA dhe BNP Paribas. Gjithashtu, ai ka shërbyer si nënkryetar dhe më pas kryetar i bordit të drejtorëve të bankës polake PKO Bank Polski.
